Ish-trajneri i kombëtares italiane në pankinën e Valencias

28/09/2016 00:00

Valencia duket se e ka bërë zgjedhjen për postin e trajnerit në këtë sezon. Bëhet fjalë për ish-teknikun e përfaqësueses italiane Cesare Prandelli me të cilin duket se drejtuesit e klubit spanjoll kanë zhvilluar edhe një takim.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja AS, tratativat me trajnerin italian janë drejt mbylljes me Prandelin që do të firmosë një kontratë për pjesën e mbetur të sezonit dhe për atë pasardhës.

Ideja e drejtuesve të Valencias është që të bëjnë të ditur emrin e trajnerit të ri përpara ndeshjes me Atletico Madrid edhe pse në pankinë për këtë përballje do të jetë Salvadior Gonzalez Voro. Mësohet se Valencia vendosi të besojë përfundimisht te Prandeli pasi u konfirmua lajmi se Marselino këtë vit nuk do të mund të jetë trajner në kampionatin spanjoll.

Cesare Prandelli 59 vjeç, është një trajner me eksperiencë. Italiani e nisi karrierën e tij në këtë rol në 1993 kur mori drejtimin e Atalantës, ndërkohë që skuadra e tij e fundit ishte Gallatasaraji në 2014.

Gjatë karrierës së tij ai ka drejtuar 6 klube të Serisë A dhe përfaqësuesen italiane me të cilën arriti deri në finalen e Euro 2012 ku u mposht nga Spanja. U largua nga të kaltrit pas eliminimit në Botërorin e Brazilit përpara 2 vitesh.

Top Channel