Impianti i mbetjeve në Fier e Elbasan. Bashkitë dhe Mjedisi: Do të përpunojnë vetëm mbetjet e qarkut

28/09/2016 00:00

Pas deklaratave të Partisë Demokratike dhe protestës së banorëve kundër ngritjes së impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier, qeveria dhe Bashkia e Fierit sqarojnë se do të asgjësohen vetëm mbetjet urbane që gjeneron ky qark. 

Ministria hedh poshtë pretendimet e Partisë Demokratike se koncesioni iu dha kompanisë shqiptare “Integrated Technology Services” dhe italianes “Energy 2SRL” para miratimit të ligjit.

“Pyetjet që shtohen natyrshëm duke parë nxitimin e qeverisë për këtë koncesion pa u miratuar akoma ligji i mbetjeve, lidhen me mbetjet që do të digjen nga ky impiant dhe dhjetra të tjerë që parashikohen të ngrihen në Shqipëri. A do të digjen në këto impiante mbetje që do të importohen në Shqipëri?! Me pretekstin e ligjit a do t’i hapë Edi Rama kufijtë mafias se plehrave të rrezikshme ashtu siç bëri për baronët e drogës?!”, thonte dje Grida Duma.

Ndërsa Irma Hoxha, zëdhënëse e Bashkisë Fier, sqaroi: “Jo për gridërat e as për lulërat, se ata nuk meritojnë as sqarim dhe as replikë, por për të gjithë qytetarët e Fierit dhe më gjerë duam të sqarojmë se: impianti që do të ndërtohet në Fier është një impiant që ka filluar 9 muaj më parë me kërkesën tonë drejtuar qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për një impiant të përmsave të vogla, s’ mund të përballojë importin që sipas tellallëve të PD-së do të vijë nga jashtë”. 

Me impiantin e Fierit pritet që të përpunohen maksimalisht rreth 180-200 ton mbeturina urbane në ditë ose rreth 70,000 ton në vit, kapacitet që sipas Ministrisë së Mjedisit është përllogaritur në bazë të gjenerimit të mbetjeve të Qarkut Fier. Nga djegia e tyre pritet të sigurohet prodhim energjie elektrike.

“Ndërtimi dhe funksionimi i këtij impianti i jep fund problemit të mbetjeve në Qarkun e Fierit, rrit edhe punësimin, ul kostot e menaxhimit të mbetjeve nga ana e Bashkisë Fier dhe prodhon energji. Kohëzgjatja e këtij konçesioni të jetë 6 vjet. “ thuhet në komunikatën e ministrisë.

Edhe për projektin tjetër, të parin e këtij lloji në Elbasan, Ministria e Mjedisit thotë se do t’i japë fund problemit të mbetjeve. Impianti që filloi ndërtimin vitin e kaluar  pritet të përurohet në muajin nëntor. “Landfilli dhe Inceneratori i Elbasanit” zë një sipërfaqe prej 36.000 m2. Nga mbetjet që do të trajtohen atje do të përftohet energji prej rreth 2.85 më”, thuhet në komunikatë.

Bashkia e Elbasanit, për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve e ka koston zero. Kohëzgjatja e këtij konçesioni të jetë 7 vjet dhe pas kësaj do të dorëzohet e kalojë në pronësi të Bashkisë Elbasan.

Si në Fier, dhe në Elbasan, qeveria siguron se  do të asgjësohen vetëm mbetjet urbane të qarkut.

Top Channel