Shimon Peres, “skifteri i kthyer në pëllumb”

28/09/2016 00:00

Pas dy javëve të kaluara në spital prej një hemorragjie cerebrale, ish-presidenti i Izraelit Shimon Peres ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare. Fillimisht u duk se gjërat po përmirësoheshin për burrin vizionar të shtetit, që i shërbeu për gati 70 vite vendit të tij.

Por, të martën situata e tij shëndetësore u përkeqësua papritur. I biri i tij, Chemi e ngriti lart figurën e laureatit të Nobelit të Paqes, duke e cilësuar si njërin prej “etërve themelues të shtetit të Izraelit”.

Peres, në fakt, ishte një nga të fundit e gjeneratës së politikanëve izraelitë të pranishem në lindjen e kombit në 1948-n. Ai ka qenë dy herë kryeministër dhe një herë president. Nobelin e fitoi për rolin e tij në negociimin e marrëveshjes së paqes me palestinezët në vitin 1993. Çmimin e ndau me kryeministrin e atëhershëm Yitzhak Rabin, që më vonë do të vritej, dhe me udhëheqësin palestinez Yasser Arafat.

Palestinezët janë “fqinjët më të afërt të Izraelit”, pati thënë dikur Peres, dhe mund të kthehen në “miqtë e tij më të ngushtë”.

E kanë quajtur “skifteri që u kthye në pëllumb”, sepse nga negociues i marrëveshjeve të armëve për kombin e ri, do të shndërrohej në valëvitësin e flamurit të paqes. “Ndaj kësaj të fundit nuk ka alternativë”, ishte linja e tij, pasi lufta për Peresin nuk kishte kuptim.

Pjesëmarrjen në funeralin e vizionarit humanist e kanë konfirmuar bashkëshortët Clinton, kryeministrja britanike Theresa May, Princi Charles, presidenti amerikan Barack Obama e Papa Françesku. Nuk do të mungojë as Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, por as kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidenti francez Francois Hollande, ai gjerman Joachim Gauck, si dhe meksikani Enrique Pena Nieto. Sigurisht edhe kryeministri australian, Malcolm Turnbull.

“Si njeri me vizion të gjerë, vështrimi i tij shkonte larg në të ardhmen. Si njeri i sigurisë, e fuqizoi në shumë mënyra forcën e Izraelit, disa nga të cilat janë ende të panjohura për publikun. Si njeri i paqes, punoi deri në ditët e fundit për pajtimin me fqinjët, me qëllimin që fëmijët tanë të kenë një të ardhme më të mirë”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Peres u tërhoq nga roli i presidentit në vitin 2014. “Mund të jetosh i vogël, ashtu siç është egoja jote; ose i madh, ashtu siç janë idetë e tua”, i pati thënë Roberto Savianos, kur e ftoi të transferohej në Izrael për t’u shpëtuar kërcënimeve të “Camorra”-s.

“Unë vet, – do të shtonte ai atëherë, – kam zgjedhur idetë”.

Top Channel