Elhaida Dani: Kam rënë 10 kg prej “Notre Dame de Paris”

28/09/2016 00:00

Musical-i “Notre Dame de Paris”, që do të shfaqet në 23 Nëntor në Pallatin e Kongreseve në Francë, këtë herë do të ketë një tjetër shije për shqiptarët; Elhaida Dani do të jetë Esmeralda e kastit të dytë të këtij Musical-i.

Në një intervistë për programin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channel”, artistja e njohur ka treguar emocionet dhe vështirësitë.

“Jam shumë e lumtur për këtë rol. Që pas fitores në “The Voice of Italy”, kur u ula për darkë me Cocciante-n, ai më tha që ta merrja këtë rol të rëndësishëm në rikthimin e “Notre Dame de Paris” në Francë, aty ku edhe ka lindur kjo histori e Viktor Hygosë. U ndjeva shumë e nderuar dhe fillova punën menjëherë”,- ka thënë Dani, teksa ka shtuar se i është dashur të bëjë shumë audicione për të fituar mes shumë konkurrentëve të tjerë.

“Shkolla që unë kam bërë ka qenë muzikologjia. Musical-in e njihja, e doja shumë, por asnjëherë nuk kam pasur eksperienca me të, ndaj kur shihja në audicione profesionistë të kësaj fushe, pyesja veten: A do ia dal? I jam dedikuar plotësisht përgatitjeve. Kam pasur orë e orë me prova, në recitim, në gjuhën frënge, etj. Kam humbur madje 10 kilogramë”,- ka treguar Elhaida duke qeshur.

E pyetur nëse Musical-i do të jetë e ardhmja e saj, ajo ka thënë: “Këtë vit isha në Broadway ku pashë disa Musical. U dashurova më tepër me këtë botë ku po hyj, por nuk besoj se Musical-i do të jetë gjithë karriera ime. E shikoj më shumë si një trampolinë që do më ndihmojë në karrierë. Me Coccianten dhe stafin tim kemi plane të tjera që nuk mund t’i zbuloj tani”.

Musical-i i “Notre Dame de Paris” është përkthyer në disa gjuhë të botës dhe është luajtur në shumë shtete nga artistë të ndryshëm, por varianti origjinal i kastit që e ka interpretuar në vitin 2008 në Paris, me kompozimin e Riçardo Cocciantes është ai që mbahet mend më shumë.

Top Channel