“Miss Universe 1996”: Trump më ka quajtur “Miss derrkucja”

28/09/2016 00:00

Alicia Machado e shijoi famën ndërkombëtare në vitin 1996, kur në moshën 19-vjeçare u kurorëzua “Miss Universe”. Tani, pas 20 vitesh, ka pushtuar sërish titujt e parë të gazetave, por për një arsye tjetër.

Machado thotë se Dondal Trump, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, që atëherë zotëronte konkursin e bukurisë, e ofendonte duke e quajtur “Miss derrkucja”.

Komentet e tij denigruese, manjati – sipas modelës së lindur në Venezuelë, – i kishte bërë kur ajo kishte shtuar në peshë pas marrjes së titullit. Detaji nuk i ka shpëtuar stafit të Hillary Clintonit. Pretendentja demokrate për Presidencën amerikane e përmendi gjatë debatit televiziv, si shembull të vërejtjeve thumbuese të rivalit të saj ndaj grave.

“Ky është një njeri që femrat i quan derrkucë, i baltos. Një njeri që thotë se një grua shtatzënë është një bezdi për punëdhënësin, që thotë se gratë nuk meritojnë paga të barabarta. Dhe ndonëse i adhuron konkurset e bukurisë, një fituese të tyre e thërret ‘Miss derrkucja’, e pastaj ‘Miss shtëpiakja’, meqenëse është latine. Donald, ajo e ka një emër, quhet Alicia Machado. Është bërë qytetare amerikane dhe në muajin nëntor do të shkojë të votojë”, tha Clinton.

Vet Machado pretendon se Trumpi kërcënoi t’ia hiqte kurorën e Missit, kur ajo u shëndosh. “Ndihesha e poshtëruar, – tregon 39-vjeçarja. – Isha shumë keq, e pas kësaj përjetova probleme të mëdha me ushqimin”.

Sot Machado e ka kapërcyer atë situatë të vështirë dhe nuk lë asnjë shteg për dyshime se kujt do t’ia japë votën e saj.

Top Channel