I kthyeri nga Siria: Ju rrëfej për shqiptarët që luftojnë atje

28/09/2016 00:00

Që nga viti 2012 e deri më sot, 314 shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve 44 gra dhe 28 fëmijë, kanë shkuar në Siri, duke iu bashkuar fillimisht grupeve opozitare që luftonin kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, e më pas edhe grupeve ekstremiste si Shteti Islamik.

Sipas autoriteteve, 110 prej tyre janë kthyer në Kosovë, kryesisht të zhgënjyer më atë që kishin parë dhe përjetuar atje. Një prej të kthyerve ka rrëfyer për “Zërin e Amerikës” eksperiencën e tij në Siri.

Pas më shumë se 3 muajsh, “Nori” – për arsye sigurie nuk i publikohet identiteti por i është vënë ky emër, – është kthyer në shtëpi. Ai thotë se anëtarët e opozitës i kthyen pasaportën, të cilën ia kishin marrë me të hyrë në Siri.

Nori është marrë në pyetje nga policia menjëherë pas kthimit në Kosovë, e më pas qëndroi për një vit në shtëpi në përpjekje për t’u riintegruar. Ai është arrestuar dhe gjykuar, ndërsa tashmë shkon çdo ditë në punë, ndërsa është në pritje të vendimit të gjykatës për të.

Ai thotë se është i gatshëm të mbështesë institucionet shtetërore e fetare për të shpjeguar realitetin në Siri dhe për të parandaluar vajtjen e shqiptarëve në atë zonë. “Çdo vend, çdo grup, çdo fe ka grupe të devijuara, por ato janë shumë ekstreme, shumë të këqija, saqë ta bëjnë rrugën me lule, por në fund përballesh me ferrin”, shprehet ai.

“Kur filloi pranvera arabe, e pashë që njerëzit, civilët vuanin shumë. Unë e lidha me jetën time kur isha në luftë. Isha një djalosh i ri dhe kisha vuajtjet e mia, që i kisha përjetuar në luftën e Kosovës. Dhe mendova se, sikurse kanë ardhur të na ndihmojnë neve këtu në Kosovë, përfshi OSBE-në, KFOR-n që na ka çliruar, mendova të bëj një vepër humane: të shkoja edhe unë për të ndihmuar popullin e Sirisë.

Ka qenë vendim i ndikuar prej të qenit mysliman, pasi nuk do të shkoja në një shtet tjetër me të cilin nuk na lidh asgjë, si për shembull në ndonjë shtet jashtë Europës. Me shtetet e Europës më lidh diçka se është në Europë, ndërsa jashtë saj nuk më lidh asgjë tjetër përveç besimit. Vendimi im ka qenë sepse edhe ata janë myslimanë dhe i kanë traditat paksa të njëjta, aty ka qenë qëllimi. Nëse për shembull në ndonjë vend si Krimeja (Ukrainë), apo diku tjetër bëhet luftë, nuk do të thotë që mua nuk më dhimbset popullata.

Shqiptarët nuk kanë qenë të rëndësishëm, nuk kanë pasur ndonjë famë të caktuar apo emra të mëdhenj. Nuk kanë pasur ndonjë pozitë të lartë udhëheqëse, por ishin në formim e sipër. I pashë idetë e tyre, bënim debat dhe ndonjëherë më ngacmonin, sepse nuk përshtateshim me ide. Unë u thosha se gjërat që po ndodhin këtu nuk mund t’i pranoj, ndërsa ata më thoshin se kështu është më mirë, se kështu fitohet kundër Assadit.

Për sa kam qëndruar aty, kam parë fëmijë shqiptarë dhe ndoshta kanë qenë gra pa burra, ndosht sepse ishte vrarë ndonjëri më herët. I pyeta ato përse nuk i dërgonin në Kosovë ose në Shqipëri, te familjet e tyre, se të paktën ata mund të kujdesen më mirë. Kanë qenë të ndrojtur dhe nuk kanë pasur mundësi të kthejnë fëmijët dhe kjo më ka mbetur në mendje. Kur të gjithë sirianët largoheshin, gratë dhe fëmijët shqiptarë qëndronin aty. Kjo më ka mbetur në zemër si dhimbje”, shprehet kosovari.

Top Channel