Itali, zbulohet “ari i gjelbër”. Parcela me kanabis në të gjithë vendin

28/09/2016 00:00

Kohët e fundit, forcat e rendit kanë nxjerrë në dritë një fenomen që po merr përmasa shqetësuese në Itali, atë të plantacioneve të mbjella me marijuanë.

Vetëm gjatë muajit shtator janë sekuestruar qindra mijëra rrënjë në zona të ndryshme, në veri e jug të vendit. Episodi më i fundit ishte ai i ditës së martë, me zbulimin e 180 mijë rrënjëve në Puglia, të kultivuara në një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh, si dhe kapjen e 3 personave, një vendas dhe dy marokenë.

Revista “Espresso” sapo ka botuar një reportazh mbi këtë fenomen gjithnjë e më të përhapur, të menaxhuar nga klane të ndryshme mafioze. Vetëm në Calabri, në një zonë që ka marrë emrin “Kolumbia italiane”, grupi aerodetar ka zbuluar këtë vit rreth 11 mijë bimë, të cilat në treg do të sillnin fitime marramendëse.

Por, sipas hetuesve, “për një plantacion që zbulohet, 5 të tjerë shpëtojnë”. Në fakt, vetëm grupi aerodetar kalabrez i “Vibo Valentia”-s duket se është i pajisur me teknologjitë më të përparuara për zbulimin e atij që tanimë ka marrë emrin “ari i gjelbër”.

Top Channel