Lufta civile në Siri, SHBA akordon miliona dollarë ndihma humanitare

28/09/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës akorduan 364 milionë dollarë më shumë, si ndihmë humanitare për njerëzit e prekur nga lufta në Siri.

Fondet do të ndihmojnë OKB-në dhe agjenci të tjera që të sigurojnë ushqim, ujë dhe ilaçe, për ata që janë në zonat e luftimit dhe sirianët në kampe emigrantësh.

Megjithëse fondet janë përshëndetur, analistët thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë hapjen e korridoreve humanitare së pari, pasi miliona vetë në Siri nuk ndihmohen dot nga askush për shkak të luftimeve.

Ndërsa OKB-ja dhe aktorët e tjerë po përpiqen të sigurojnë këto korridore, raporte të ndryshme thonë se ushtria siriane vazhdon të bombardojë ashpër Aleppon dhe gjithashtu ka nisur ofensivën nga toka për këtë qytet.

OBSH bëri thirrje për hapjen e një rruge në Aleppo për evakuimin e të plagosurve dhe të sëmurëve, ndërsa paralajmëroi se në qytet kanë mbetur vetëm 35 mjekë për qindra e mijëra pacientë, numri i të cilëve sa vjen e rritet.

Dërgimi i ndihmave humanitare ishte një nga kushtet e armëpushimit që dështoi javën e shkuar, me të cilin u zhduk edhe mundësia për të ndihmuar civilët që kanë mbetur të bllokuar nga rrethimi i qytetit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se fondet e reja do ta çojnë në 5.9 miliardë shpenzimin humanitar për Sirinë, megjithëse një pjesë e ekspertëve thonë se me kaosin në terren është mjaft e vështirë të shohësh rezultatin e kësaj ndihme.

Top Channel