Zbarkimi në Normandi u rrezikua nga gruaja e zemëruar

28/09/2016 00:00

Zbarkimi i aleatëve në Normandi, njohur ndryshe si “Dita D”, është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në histori dhe një nga faktorët kryesorë që i ndryshoi fatin Luftës së Dytë Botërore.

Por dukumentet sekrete të shërbimit të inteligjencës britanike “Mi5” tregojnë se, ky plan i realizuar me aq kujdes nga aleatët, për pak sa nuk u prish nga debatet familjare mes një spiuni dhe gruas së tij.

Juan Pujol, i njohur me nofkën agjenti Garbo, ishte një nga aktorët kyç që bindi nazistët se zbarkimi aleat nuk do të bëhej në Normandi, por në Pas-de-Calais. Përmes një rrjeti spiunësh që ai drejtonte, Pujol i dërgonte informacione nazistëve, duke u shtirur si një agjent i tyre, por në fakt punonte për britanikët.

Informacionet e tij të rreme i bindën nazistët të largonin forcat e tyre nga plazhet e Normandisë, ku u bë zbarkimi më 6 qershor 1944. Por, për të mbrotjur identitetin e tij dhe të familjes, bashkëshortja e tij Araceli u mbyll në në shtëpi në Londër që në vitin 1943, muaj para zbarkimit, për të mos rrezikuar që të njihej në publik apo të shihej nga inteligjenca gjermane.

E zemëruar tej mase nga izolimi për së gjalli, Araceli kërcënoi se do të shkonte tek ambasada spanjolle dhe do të shkaktonte një skandal të vërtetë. Zyrtarëve britanikë që e ruanin, ajo u tha se nuk mund të jetonte më pa bashkëshortin e saj, që ishte gjithnjë larg në detyrë, dhe se e kishte marrë malli për shtëpinë.

I paraqitur me këtë sfidë të re, agjenti Garbo, ndërsa vazhdonte të mashtronte gjermanët, sajoi edhe një mashtrim tjetër për gruan e tij. Ai u shtir sikur u arrestua për shkak të zemërimit të gruas së tij, që gjoja ishte marrë vesh nga armiqtë. Me sytë mbyllur, Araceli u dërgua në një kamp përqëndrimi, ku gjoja mbahej burri i saj, i cili e luajti mjaft mirë rolin e spiunit të diskredituar dhe në rrezik për jetën.

E tmerruar nga ajo që pa, gruaja e spiunit vendosi të hiqte dorë nga tekat e saj dhe vetëm më vonë, autoritetet britanike i thanë se bashkështori ishte liruar meqë ajo u soll mirë.

Top Channel