Izrael, ndërron jetë ish-presidenti Shimon Peres

28/09/2016 00:00

Ish-presidenti dhe kryeministri izraelit, Shimon Peres, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Ai ishte shtruar me urgjencë në një spital në periferi të Tel Avivit para dy javësh, pasi vuante nga ishemia, një sëmundje e ngjashme me atakun kardiak, por që ndodh në qelizat e trurit si pasojë e mosfurnizimit me gjak.

Peres, prej kohësh merrte trajtim të specializuar mjekësor në kushte shtëpiake. Në janar, ai i është nënshtruar një operacioni të suksesshëm në të njëjtin spital, pasi pësoi një atak kardiak. Që nga 13 shtatori, ai ishte nën kujdes intensiv në “Sheba Medical Center”, vend edhe ku mbylli sytë për herë të fundit.

Politikani veteran izraelit ka mbajtur thuajse çdo post të rëndësishëm zyrtar, që prej themelimit të Izraelit në vitin 1948, si dhe njihet si arkitekti i programit sekret bërthamor të Izraelit.

Ai ka shërbyer dy herë si kryeministër, ndërkohë që mbante postin e presidentit në vitet 2007-2014.

Peres ka fituar edhe Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1994, për rolin e luajtur në negociatat për marrëveshjen e Oslos, ku u arrit paqja me palestinezët një vit përpara vlerësimit. Atë çmim ai e ndau me kryeministrin Yitzhak Rabin, i cili u vra më vonë në atentat, por edhe me udhëheqësin palestinez, Yasser Arafat.

Pavarësisht moshës së tij të shtyrë, Peres ka mbajtur një agjendë aktive në publik, kryesisht përmes Qendrës “Peres” për Paqen, një organizatë joqeveritare e cila promovon marrëdhënie më të ngushta mes Izraelit dhe Palestinës.

Top Channel