Një grup vullnetarësh nga shtete të ndryshme të botës janë bashkuar nën emrin Maratona e Paqes, kanë mbërritur në Bashkinë e Pustecit, bashkë me flakën olimpike.

Maratona që zhvillohet një herë në dy vjet, ka nisur në muajin shkurt nga Porto e Portugalisë, duke ndjekur një itinerar të gjatë që prek edhe Shqipërinë, do të vijojë në Greqi dhe do të përfundojë në Romë.

Daniel Ignovski, atleti nga Maqedonia beson se të gjithe individët, pavarësisht kombësisë apo vendit që kanë në shoqëri, mund të hedhin hapin e parë për të promovuar paqen në botë.

“Kjo maratonë zhvillohet sepse ne vërtet besojmë se jemi ne ata që duhet të bëjmë hapin e parë. Nuk duhet të presim që ndonjë tjetër të bëjë më shumë për paqen në botë, por të gjithë ne duhet ta hedhim këtë hap, pa dallim, nëse jemi të vegjël, të parëndësishëm, jetojmë në qytet apo fshat, kemi pozitë apo jo, por të gjithë ne mund të paraqesim qëllimin tonë për paqen, dashurinë e mirësinë. Ne vrapojmë me pishtar të ndezur që simbolizon flakën tonë të brendshme, që digjet përjetë në mënyrë që bota jonë të jetë e mbushur me harmoni e paqe. Ne vrapojmë sepse besojmë në këtë porosi të sinqertë dhe sepse besojmë që kjo është e vetmja mënyrë se si ne mund ta ndryshojmë botën”, tha atleti.

Top Channel