Lind fëmija i parë me tri ADN

27/09/2016 00:00

Shkenca mund të arrijë një ditë të shmangë defektet gjenetike të trashëgueshme. Lindja e një bebi me tri ADN, në sajë të një teknike krejtësisht të re, u konfirmua nga mjekët amerikanë, që e realizuan këtë proces në Meksikë.

Bebi ka lindur 5 muaj më parë, por mjekët u siguruan për shëndetin e tij, përpara se ta bënin publike këtë arritje. Përveç ADN-së së dy prindërve, ai ka dhe një të tretë nga një dhurues, kodi gjenetik i të cilit bëri të mundur të shmangej një defekt i gjeneve të së ëmës.

Sipas “New Scientist”, kjo u arrit falë një teknologjie të re të zbatuar për herë të parë, e quajtur “Dhurimi mitokondrik”. Nëna e bebit vuante nga sindroma “Leigh”, një çrregullim neurologjik që lidhet me mutacionin e 75 gjeneve të njeriut. Ajo e kishte mutacionin në ADN-në e mitokondrisë.

Kjo do të rezultonte fatale për fëmijën, që do të pësonte fatin e foshnjeve të tjera të çiftit nga Jordania, vdekjen në vitet e para të jetës. Ndaj, mjekët përdorën një metodë që merr ADN-në nga vezët e nënës, mitokondri të shëndetshme nga vezët e dhuruesit, për të krijuar kështu një vezë të re pa defekte.

Mjeku nga Nju Jorku, John Zhang thotë se u krijuan 5 embrione, por vetëm njëri u zhvillua normalisht. Ekzistojnë pak lindje në botë të realizuara me tri ADN, por edhe pse shkenca provon që prej viteve ’90, ndër vendet e pakta ku ka ligje që lejojnë bebe nga “3 prindër” është Britania e Madhe.

Megjithatë, edhe kësaj here, pavarësisht dobisë, ngrihen shumë pikëpyetje etike.

Top Channel