Këngë për babanë e humbur

27/09/2016 00:00

Babai i Vesa Lumës sot do të ishte 66 vjeç. Mallin për të në këtë përvjetor, këngëtarja ka zgjedhur ta shprehë me muzikë. Kjo është mënyra më e mirë që ajo të komunikojë.

“Sa mall” titullohet kënga dedikuar atij. Për Top Channel ajo rrëfen emocionet…

TCH: Si ka qenë kjo ditë e sotme për ty, e dashur?

Vesa Luma: Ka qenë një ditë pak më e veçantë për mua, për shkak se është ditëlindja e babait tim, i cili nuk ndodhet më mes nesh. Unë kisha kohë që doja t’i dedikoja atij këtë këngë me një video, prandaj më mirë sesa sot, nuk mund të vinte herë tjetër.

TCH: E kujton me shumë mall, ashtu sikurse ke zgjedhur ta titullosh edhe vet këngën tënde…?

Vesa Luma: Ai ka qenë frymëzim për mua, por edhe për dy motrat e mia. Këtë këngë, jo vetëm ia dedikoj babait dhe familjes sime, por edhe të gjithë atyre që kanë humbur ndonjë të dashur në jetën e tyre.

TCH: Vesa, para se të jesh një artiste, je një njeri. Ke ndjeshmëritë e tua. Para se të jesh person publik, ke dobësitë e tua. Edhe kjo këngë rrëfeu anën tjetër tënden…?

Vesa Luma: Unë nuk jam tipi i personit që flas shumë për ndjenjat e mia. Por, kush më mirë sesa Geri, apo Big Basta siç e njohin të tjerët, mund ta përkthente atë ndjenjë në vargje dhe në muzikë.

TCH: Të përshëndesim dhe të urojmë ditë të bukura pa fund në jetën tuaj.

Vesa Luma: Unë shpresoj që të përçohet mesazhi edhe te njerëzit e tjerë, e sadopak ta bashkëndiej me të gjithë ata njerëz që kanë humbur të dashurit e tyre.

Top Channel