Pendesë e Bashës? Analistët janë të ndarë

27/09/2016 19:50

Pendesa e Lulzim Bashës për ligjin e mbetjeve ndan analistët. Ata që e besojnë e quajnë një akt qytetar, edhe nëse poshtë fsheh interes politik. Por, të tjerë shprehen mosbesues të sinqeritetit, sa kohë akti i tij është jo kundër Sali Berishës, por kundër çdo vendimi që merr qeveria e Edi Ramës.

Preç Zogaj thotë: “Duhet të duartrokasim pranimin e gabimit. Është ngjarje jo e zakonshme në politikën shqiptare. Unë kam qenë kundër ligjit dhe për këtë arsye e duartrokas”.

Ndërsa opinionisti Mustafa Nano shprehet: “Kam frikë se më shumë sesa reflektim është një përpjekje e Bashës për t’i hipur kalit të protestës. Kjo gjë do të ishte më e besueshme nëse do të ishte thënë përpara një jave”.

“Mendoj se ka bërë gjënë e duhur. Qoftë duke kërkuar falje, por mbi të gjitha duke treguar se partitë reflektojnë humorin e shoqërisë”, deklaron pedagogu Agron Gjekmarkaj.

Nga ana e tij, opinionisti Arjan Vasjari theksoi: “Nuk e besoj që zoti Basha është i besueshëm. Me këtë qëndrim shpall përfundimisht se është një dishepull i kulturës së JO-së. Unë do ta besoja zotin Basha edhe nëse do të ishte kundër, por nëse do të ishte kundër Sali Berishës. Basha është kundër vetëm ndaj Edi Ramës”.

Skënder Minxhozi i javaneës.al thotë: “Që një politikan në Shqipëri të reflektojë është e rrallë dhe shumë pozitive. Megjithatë, do të thoja se është një lëvizje taktike e tij, pasi ai nuk mund të fliste për ligjin e ri të PS-së pa hedhur poshtë ligjin e vjetër të PD-së. Kam përshtypjen se është marrë një vendim në PD për të kërkuar ndjesë formale ndaj publikut për atë që u propozua dhe nuk kaloi, në mënyrë që t’i kenë duart e lira për të sulmuar ligjin e ri”.

“Lulzim Basha duhet të ndërtojë një parti të Lulzim Bashës, por, për ta bërë këtë, ajo parti duhet deberishizuar. Po ta bëjë, do të ishte një alamet gjesti”, shpjegon Nano.

Top Channel