Sam Allardyce takohet me drejtuesit e FA-së, pritet shkarkimi i tij

27/09/2016 00:00

Sam Allardyce ndodhet në stadiumin e Uemblit për një takim me krerët e Federatës Angleze të Futbollit, duke u përpjekur të shpëtojë vendin e punës si trajner i përfaqësueses së “Tre Luanëve”.

Presidenti Greg Clarke dhe shefi ekzekutiv Martin Glenn janë në takim dhe sipas mediave britanike, janë të tërbuar nga skandali që ka përfshirë trajnerin, i cili ka qenë viktimë e kamerës së fshehtë të organizuar nga “The Telegraph”. Gazeta britanike thotë se në muajin gusht, dy bashkëpunëtorë të saj iu paraqitën trajnerit të kombëtares së “Tre Luanëve” si investitorë nga Lindja e Largët.

Në bisedën e zhvilluar, “investitorët” kërkojnë këshillën dhe ndihmën e Sam Allardyce për të shmangur disa rregulla të Federatës Angleze të Futbollit për transfertat e lojtarëve.

Trajneri pranon jo vetëm këshillimin, por u thotë me siguri se “me lëvizjet e duhura” diçka e tillë mund të bëhet dhe u përmend ‘investitorëve’ në fjalë shumën prej 600 mijë eurosh, që duhet të paguanin për shërbimet e tij.

Top Channel