“Mbetjet” shpëtojnë ndotjen. Alarmi i OBSH: Jetojmë në një botë të pistë

27/09/2016 00:00

Organizata Botërore e Shëndetësisë jep sërish shifra alarmante për ajrin e ndotur, si shkaktar të sëmundjeve.

Një në 10 njerëz sot në botë thithin ajër të ndotur, bën të ditur OBSH-ja. 92% e popullsisë në planet jeton në vende, ku ndotja e ajrit i tejkalon kufijtë e OBSH-së, gjë që mund të shkaktojë kancerin në mushkëri, sëmundjet e zemrës dhe infarkte.

Gjendja po bëhet edhe më e rëndë në vendet më të varfra, ndërsa përllogaritet se në rajonet e Paqësorit Perëndimor dhe Azisë Juglindore ndodhin dy ndër 3 vdekje të tilla.

Rreth 3 milionë vdekje çdo vit janë të lidhura me ajrin e ndotur, që njerëzit thithin në mjedise të jashtme. Në statistikat e saj të vdekjeve, OBSH-ja përfshin edhe ajrin e ndotur që thithet në mjedise të brendshme, si tymi nga djegia e druve apo zjarret për gatim.

Modelet e përdorura për matje flasin për një grimcë ndotjeje të vogël më pak se 2.5 mikrometra, e cila nëpërmjet gjakut shkon në tru. Turkmenistani ka shifrat më të larta të vdekjeve që lidhen me ajrin e ndotur, ndërsa sipas OBSH-së, Amerika e Veriut paraqitet më mirë se Europa, për shkak se kontinenti i vjetër rrezikohet nga tymi i karburanteve dhe disa teknologji bujqësore.

Menaxhimi i mbetjeve, përmirësimi i transportit dhe energjia e gjelbër shihen nga OBSH-ja si disa nga rrugëdaljet prej ajrit të ndotur.

Top Channel