Kosovë, Mustafa: Në SHBA na u rikonfirmua mbështetja për liberalizimin e vizave

27/09/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur rreth takimeve të tij që ka zhvilluar gjatë vizitës në Nju Jork. Ai rrëfen se është takuar me presidentin Obama, ish-presidentin Clinton, Sekretarin e Shtetit John Kerry, Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, e shumë të tjerë.

Mustafa ka thënë se atij i është rikonfirmuar mbështetja për integrimin euroatlantik, liberalizimi i vizave dhe proceset e tjera për qytetarët.

Ja statusi i plotë i Mustafës në “Facebook”:

“Javën që lamë pas isha në Nju Jork, ku së bashku me ministrin Hoxhaj kemi zhvilluar takime të nivelit më të lartë me udhëheqës të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të diasporës.

Pata rastin të takohem me Presidentin Obama, ish-presidentin Clinton, Sekretarin Kerry, Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Mbretin e Jordanisë, Presidentin e Këshillit Europian, Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, drejtuesit e organizatave rajonale, presidentë, kryeministra dhe ministra të Jashtëm të shumë shteteve.

Takova përfaqësuesit e diasporës sonë në Javën e Filmit Shqiptar, si dhe në takimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare. Morëm përkrahjen e plotë të SHBA-ve dhe vendeve të tjera partnere e të organizatave ndërkombëtare. Na u rikonfirmua mbështetja për proceset euroatlantike, liberalizimin e vizave dhe proceset e tjera jetike për qytetarët.

Presim fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar përmes njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata. Duke iu referuar thënies brilante të presidentit historik Ibrahim Rugova, se ‘Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq’, me krenari e them se Republika e Kosovës ka sot më shumë miq se kurdoherë tjetër”, shkruan Mustafa.

Top Channel