Denoncimi i “Fiksit”, ndalohen dy inspektorët e Tatimeve që morën ryshfet

27/09/2016 16:45

Pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare”, Policia e Tiranës ka ndaluar dy inspektorët e Tatimeve të cilët u filmuan duke marrë ryshfet nga pronari i një biznesi në Kamëz.

43-vjeçari Albert Çako dhe 29-vjeçari Anxhelo Sida i kërkuan dhe i morën shumën prej 20 000 lekësh shtetasit me iniciale R.R., në këmbim të mosvendosjes së masës administrative dhe mbylljes së aktivitetit.

Gjithashtu, në kuadër të këtij hetimi, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit S.K. dhe proceduar në gjendje të lirë shtetasja M.K., për veprën penale shpërdorim detyre.

Ndërsa pronari i aktivitetit është proceduar në gjendie të lirë për veprën penale korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike.
 
“Fiks Fare” iu rikthyer mbrëmjen e së hënës korrupsionit në administratën shtetërore, ku denoncoi me zë dhe figurë një inspektor tatimor, i cili ushtron presion ndaj tregtarëve, me qëllim për të përfituar ryshfet.

Emisioni investigativ në Top Channel solli historinë e një pronari thertoreje në zonën e Institutit në Tiranë, i cili rrëfeu se inspektorët e kontrollit tatimor në kryeqytet e kishin kërcënuar me gjoba të larta, me qëllim që ai të jepte para nën dorë.

Rushit Azemi tregoi për “Fiks Fare” se ai është koshient që ka shkelur ligjin, duke punuar në të zezë, por detyrohet për të fituar bukën e gojës. Thertorja qe ai ka në pronësi, në lagjen Institut të Kamzës, ishte bllokuar , por ai kishte filluar të punonte në të zezë.

Top Channel