Banesat sociale, Bashkia e Tiranës negocion me ndërtuesit

27/09/2016 00:00

Bashkia e Tiranës do të negociojë me firmat e ndërtimit që për çdo leje ndërtimi që do të japë me planin e ri rregullues, të mund të marrë pa pagesë dy apo tre apartamente për t’i shfrytëzuar më pas si banesa sociale.

Drejtori i Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit pranë Bashkisë thekson se negocimi do të bëhet në interes të të dyja paleve.

“Bashkia do të bëhet pjesë e zhvillimit duke i rritur pak kushtet për zhvilluesin dhe duke marrë mbrapsht një pjesë të vogël të kësaj rritjeje që ajo krijon. Toleranca e madhe është tek lartësia. Në një qytet të dendur si Tirana është më mirë që një zhvillim i ri, nëse do të marrë 1 mijë metra katrorë të ketë një gjurmë 200 m2 dhe një lartësi 5 kate, sesa 500 metra katrorë dhe lartësi 2 kate”, deklaron Ditmir Baboçi, drejt i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

Baboçi thekson se nuk do të shkelen e limitet e përcaktuara në planin vendor, por bashkia ka dhe një tjetër ofertë për banesa sociale në lidhje me trojet shtetërore.

“Në bashkëpunim me qeverinë qendrore do të shqyrtojmë mundësinë se si këto pjesë të vogla publike të futen si pjesë e zhvillimit. Pra, bashkia të futet si pronare e këtij trualli dhe të marrë mbrapsht përsëri banesa sociale”, sqaron Baboçi.

Në këtë mënyrë, shpjegon Baboçi, do të ketë dhe një shpërndarje të banesave sociale, çka bën që familjet në nevojë të kenë mundësi aksesi në shkolla, rrugë apo të tjera shërbime publike, njësoj si familjet e tjera dhe jo të veçuar.

Top Channel