“Mbetjet”, PD: Konçesioni, i caktuar para miratimit të ligjit

27/09/2016 00:00

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma ka publikuar “arsyet e vërteta” se pse kryeministri Rama riktheu importin e mbetjeve.

“Akoma pa hyrë në fuqi ky ligj, qeveria ka vrapuar të hapë tenderin dhe të japë konçesionin e parë për djegien e mbetjeve. Skandali thellohet kur zbulohet se kompania që ka fituar tenderin është regjistruar për këtë shërbim 15 ditë pas shpalljes së tenderit”, ka thënë Duma.

Sipas saj, më datë 13.07.2016 është hapur tenderi për dhënien me konçesion të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier.

“Më datë 28.07.2016, kompania fituese e tenderit “Integrated Technology Services”, e regjistruar për aktivitet në fushen e Teknologjise së Informacionit, papritur shton në objektin e aktivitetit të saj edhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie dhe landfille për përpunimin e mbetjeve urbane e të rrezikshme”, ka thënë Duma.

Në vijim të deklaratës së saj, Duma ka saktësuar se, “më 15 shtator të këtij viti, një bashkim operatorësh ndërmjet kompanisë shqiptare “Integrated Technology Services” dhe italianes “Energy 2SRL”, e specializuar në “green energy”, ka fituar garën për kontratën konçesionare me një afat 6-vjeçar”.

“Gjithçka është bërë në fshehtësi të plotë, në errësirë të plotë dhe me shpejtësi marramendese. Ky është interesi i Edi Ramës dhe jo kompanitë e riciklimit që i përdor për show. Me pretekstin e ligjit a do t’i hapë Edi Rama kufijtë, mafias se plehrave të rrezikshme ashtu siç bëri për baronët e drogës?!”, ka shtuar Duma.

Top Channel