Referendum për kushtetutën, Renzi: Kjo është “nëna” e gjithë reformave

27/09/2016 00:00

Italia do të mbajë një referendum kombëtar në 4 dhjetor mbi ndryshimet kushtetuese kyçe që synojnë tkurrjen e legjislaturës së vendit, përshpejtimin e procesit të ligjbërës e goditjen e zvarritjeve burokratike.

Kryeministri Matteo Renzi, i cili paketën në fjalë e përshkruan si “nënën e të gjitha reformave”, ka premtuar të dorëhiqet në rastin e një vote “jo”.

“Referendumi mund të sjellë trazira politike në vend”, shkruan “Wall Street Journal”. Gazeta prestigjioze kujton se niveli i aprovimit të Renzit ka rënë ndjeshëm për shkak se masat e tij ekonomike nuk kanë arritur ta nxisin rritjen ashtu siç pretendohej.

Nisma e re e tij synon shkurtimin e numrit të senatorëve dhe krijon mundësinë që shumë projektligje të marrin vetëm aprovimin e dhomës së ulët të parlamentit.

Në arsyetimin e ekzekutivit, ndryshimet do të përmirësojnë në mënyrë drastike efikasitetin e procesit legjislativ të Italisë, duke lejuar miratimin akoma më të shpejtë të ligjeve dhe tkurrjen e kostos së një sistemi tejet të ngarkuar.

Propozimet kërkojnë gjithashtu zvogëlimin e hendekut të pushtetit mes qeverisë qendrore dhe autoriteteve lokale e rajonale, i cili shihet gjerësisht si shkaku kryesor i burokracisë mbytëse të vendit.

Planit të Renzit i kundërvihet sindikata më e madhe tregtare e Italisë, thuajse e gjithë opozita dhe disa anëtarë të partisë së tij, ndërsa komuniteti i biznesit e mbështet plotësisht. Sondazhet tregojnë se lufta ka për të qenë e fortë, ndërsa llogaritet se rreth 40% e votuesve janë të pavendosur.

Top Channel