AKU, kontroll në tregjet e Tiranës; valë gjobash dhe paralajmërime

27/09/2016 00:00

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer këtë të martë inspektime në tre tregjet kryesore të Tiranës, ku janë vendosur një seri masash ndëshkimore, nga gjobat deri në paralajmërimet për bllokim aktiviteti.

Sipas një njoftimi për shtyp, inspektorët e AKU-së kanë vëzhguar nga afër gjendjen në tregun e zonës së Kombinatit, tregun në hyrje të ish-uzinës “Dinamo” dhe në tregun agro-ushqimor në rrugën Tiranë-Durrës.

Inspektorët kanë konstatuar se, shumica e subjekteve tregtonin produkte, kryesisht djathë, gjalpë, gjizë, por edhe mish e peshk, duke mos plotësuar kushtet higjeno-sanitare.

Për rrjedhojë janë vendosur masa ndëshkimore për 10 subjekte, të cilat variojnë nga gjoba deri në 300 mijë lekë deri tek paralajmërimet për mbyllje të aktivitetit.

Kjo e fundit do të zbatohet nëse konstatohet se, tregtarët i nxjerrin sërish në shitje produktet. Konkretisht, gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit në këtë ditë të vetme kapin shifrën e 2 milionë e 350 mijë lekëve.

Aksioni fillimisht është kundërshtuar nga tregtarët, por më pas shumica prej tyre lejuan kontrollet dhe pranuan se nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare.

Top Channel