Fëmijët në kopshte, Veliaj: Kuota për familjet në nevojë

27/09/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar këtë të martë ambjentet e kopshtit “Bob Ndërtuesi”, në njësinë administrative numër 8 të kryeqytetit, tashmë i rikonstruktuar tërësisht.

Në fjalën e tij, në prani të fëmijëve, Veliaj tha se, investimi për të vegjlit është një investim për të ardhmen e Tiranës.

“Ndonjëherë të rriturit marrin më shumë kohë në vëmendje se sa fëmijët, por harrojmë se në një qytet me 1 milion banorë, 250 mijë prej tyre janë fëmijë. Është më mirë kur dëgjojmë fëmijët dhe kur punojmë për ta, ashtu si çdo familje e cila së pari kujdeset për fëmijët e vet”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se puna e kryer me kopshtet ka rritur ndjeshëm kërkesën e prindërve për të siguruar një vend për fëmijët e tyre në to, ndaj edhe bashkia, për të menaxhuar sa më mirë situatën, ka vendosur që të respektojë të gjitha grupet sociale duke përcaktuar kuota për shtresat në nevojë.

“Do të kemi një sistem kuotash të rezervuara, sidomos për fëmijët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, në nevojë, që kanë persona me aftësi të kufizuar, për t’u siguruar që edhe kopshti është një mikro-qytet ku përfaqësohen të gjithë, sidomos ata që janë nevojtarë. Tani që reputacioni i kopshteve publike është rritur, statistikisht kemi 11 aplikime për çdo vend që kemi në kopësht”, deklaroi Veliaj.

Top Channel