Trajnerit të Anglisë s’i mjafton rroga, kapet ‘mat’ nga “Telegraph”

27/09/2016 00:00

Në korrik u emërua trajner i Anglisë, pozicion që shoqërohet me një pagë vjetore prej 5 milionë eurosh, që mesa duket nuk është e mjaftueshme për Sam Allardyce.

Big Sam, siç njihet ndryshe në Britaninë e Madhe ka qenë viktimë e kamerës së fshehtë të organizuar nga “The Telegraph”. Gazeta britanike thotë se në muajin gusht, dy bashkëpunëtorë të saj iu paraqitën trajnerit të kombëtares së “Tre Luanëve” si investitorë nga Lindja e Largët.

Në bisedën e zhvilluar, ‘investitorët’ kërkojnë këshillën dhe ndihmën e Sam Allardyce për të shmangur disa rregulla të Federatës Angleze të Futbollit për transfertat e lojtarëve.

Trajneri pranon jo vetëm këshillimin, por u thotë me siguri se “me lëvizjet e duhura” diçka e tillë mund të bëhet dhe u përmend ‘investitorëve’ në fjalë shumën prej 600 mijë eurosh, që duhet të paguanin për shërbimet e tij.

Skandali ka shpërthyer menjëherë dhe Big Sam rrezikon edhe hetimin nga autoritetet, përveç shkarkimit nga detyra e trajnerit. Federata Angleze e Futbollit është vënë në lëvizje dhe ka kërkuar nga gazeta pamjet filmike të plota. Në reagimin e parë, FA thotë se është duke hetuar paraprakisht nëse është shkelur kodi i saj etik e më pas edhe kontrata e nënshkruar me trajnerin.

Sam Allardyce zëvendësoi në postin e trajnerit të Anglisë Roy Hodgson, i cili u largua pas eleminimit të turpshëm ndaj Islandës në Europianin francez. Stoli i Anglisë është kulmi i karrierës së tij si trajner. Në të shkuarën ka drejtuar një sërë skuadrash të vogla, ku më të njohurta janë Sunderland dhe West Ham.

Top Channel