Katër të arrestuar për dhunë në familje, mes tyre edhe një turk

27/09/2016 00:00

Katër persona janë vënë në pranga në Fier, Lushnje dhe Krujë pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre.

Ardian Gjika, 45 vjeç, banues  në fshatin Gracalli të Fier është arrestuar nga policia pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj  bashkëshortes dhe babait të tij, shtetasve, L.Gj, 41 vjeçe dhe T.Gj, 76 vjeç.

Në pranga është vënë edhe Ardian Maçi, 37 vjeç, banues në fshatin Çermë, Divjakë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ish-bashkëshortja e tij, shtetasja E.T, 33 vjeçe, banues  në fshatin Dushk, Lushnjë, kallëzon se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve të saj A.M dhe M.M.

Gjithashtu, policia e Lushnjes ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas turk, i cili përkohësisht banonte në lagjen “Xhevdet Nepravishta“, Lushnje.

Sipas policisë, Suleyman Bakgor, 50 vjeç, ditën e hënë rreth orës 12:00, ka  ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, shtetases Sh.Sh, 31 vjeçe.

Edhe në Krujë një 50 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet për dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Personi i arrestuar në flagrancë është shtetasi Kujtim Vogli, i cili sipas policisë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij shtetases E.V. 56 vjeçe.

Top Channel