Armando Vajushi, 4-6 muaj larg fushave, operohet

27/09/2016 00:00

Armando Vajushi pësoi një dëmtim të rëndë të ligamentit në ndeshjen e fundit me ekipin e tij të Pro Vercelli-t në Serie B.

Shkodrani mësohet si i është nënshtruar një operacioni në gjurin e majtë ditën e hënë në klinikën “Villa Stuart” në Romë, ndërhyrje që ka rezultuar e suksesshme.

Sipas klubit të Pro Vercelli-t, periudha e rehabilitimit të sulmuesit shqiptar nuk do të jetë e shkurtër. Parashikohet që Vajushi do të qëndrojë jashtë fushave nga 4 deri në 6 muaj, në varësi të periudhës që do ti nevojitet për rikuperimin e plot.

Pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen me Cesena-n, shkodrani do të jetë i detyruar të humbasë të paktën gjysmën e parë të sezonit. Një goditje e rëndë për Pro Vercelli-n, e pranuar edhe nga vetë drejtuesit e klubit, sipas të cilëve Armando Vajushi ishte në formë të shkëlqyer dhe cilësohej si një prej elementëve më të talentuar të skuadrës piemonteze.

Top Channel