Clinton dhe Trump, debat i nxehtë, jo vendimtar

27/09/2016 00:00

Debati mes Hillary Clinton dhe Donald Trump kënaqi pritshmëritë përsa i takon intensitetit, por jo rezultatit që prodhoi. Megjithëse analistët ndryshojnë thellësisht në qëndrime se kush fitoi përballjen e parë televizive, duket se opinioni i amerikanëve është më diplomatik.

Shumë njerëz të intervistuar nga mediat thonë se pavarësisht shkëmbimeve të nxehta verbale në podium, dy kandidatët nuk bënë aq sa duhet për të fituar më shumë mbështetje dhe për të tërhequr votën e atyre që ende nuk kanë vendosur ende për kë të votojnë.

Shum njerëz të intervistuar, thanë se dëgjuan shumë sulme dhe kundërpërgjigje gjatë debatit mes dy kandidatëve, por fatkeqësisht asnjë thelb për të vendosur se për cilin duhet votuar. Për 70-vjeçarin Trump, debati ishte një mundësi për tu shfaqur i disiplinuar, ndërsa për 68-vjeçaren Clinton një mundësi për t’i siguruar votuesit se mund të kenë besim tek ajo.

Duket se zhgënjimi më i madh nga debati ka ardhur për emigrantët në SHBA, të cilët shpresonin që të dëgjonin më shumë për fatin e 11 milionë refugjatëve ilegalë në vend.

Emigracioni ka qenë temë e nxehtë gjatë fushatës elektorale, sidomos me murin e propozuar nga Trump në kufirin me Meksikën, por në debat kjo çështje thuajse nuk u përmend fare.

Kryesisht emigrantët me prejardhje latine u shprehën të zhgënjyer thellësisht, sepse u pa qartë se pavarësisht retorikës para debatit, dy kandidatët nuk kanë asnjë ide se si të zgjidhin problemin e milionave në SHBA pa dokumenta.

Kryesisht, të intervistuarit pas debatit mendojnë se Clinton pati nje performancë disi më të mirë se sa Trump, por asgjë vendimtare, diçka e treguar edhe nga sondazhet që i japin rivalit presidencialë shumë pranë.

Top Channel