Lezhë, qëllohet me armë furgoni, vritet një person

27/09/2016 00:00

Një 26-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e së martës rreth orës 06:15 minuta në rrugën e vjetër për Torovicë, në kufirin ndarës mes Lezhës dhe Shkodrës.

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri në drejtim të një mjeti tip “Ford”,  i cili çdo mëngjes mblidhte qumështin në zonë, plumba të cilat i morën jetën Ajet Qokthit, banues në Shkodër.

Në vendngjarje shkuan forcat e rendit të cilat kanë filluar edhe krehjen e zonës dhe ngritjen e postoblloqeve.

20 gëzhoja janë gjendur në vendin e ngjarjes. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Prokurorisë, ndërkohë që kanë nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes dhe arsyet e saj.

Viktima ishte pasagjer në automjet. Policia ka shoqëruar drejtuesin e tij për t’u marrë në pyetje, ndërsa trupi i pajetë i të riut Ajet Qokthi është transportuar me autoambulancë drejt morgut të Lezhës.

Ngjarja ndodh në një distancë të shkurtër kohore nga dy ngjarje të tjera të rënda me pasoje vdekjen në Qarkun Lezhe,  vrasja e policit të FNSH nga David Qosja dhe vrasja e punonjësit të OSHEE në Mirditë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel