Nishani: Vettingu nuk ishte refuzim. Presidenca u trajtua si zyrë e rëndomtë

26/09/2016 00:00

Mosdekretimi i ligjit për Vettingun nga Presidenti i Republikës nuk ishte një refuzim, por mosdakortësi për disa nga nenet e tij. Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës ai deklaroi se në këtë proces zyra e Presidentit është trajtuar si një zyrë e rëndomtë, megjithatë ajo nuk u bë pengesë.

“Në procesin e nisjes së reformës me rëndësi kanë qenë ndryshimet Kushtetuese. Ne sot kemi një Kushtetutë të re. Nuk ishte një refuzim, por shprehje e disa rezervave për disa nene të këtij ligji, që po të ishin konsultuar, qoftë me zyrën e Presidentit, mund të ishin korrigjuar. Së pari ka të bëjë me integritetin e Zyrës së Presidentit, që duhet të trajtohet ashtu siç i takon, si një zyrë, si një institucion i cili prezanton dinjitetin dhe integritetin e shqiptarëve. Nuk mund të kthehet zyra e Presidentit në një institucion të rëndomtë administrative”, thotë Nishani.

Nishani u pyet edhe për kërcënimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por mbajti sekret bisedën që kishte bërë me të. Nishani deklaroi se në Shqipëri duhen shkëputur të gjitha fijet e krimit me politikën për të patur një sukses në luftën kundër krimit të organizuar.

“Kjo është një pyetje e drejtpërdrejtë. Unë kam diskutuar dhe diskutoj çështje të shumta me kryeprokurorin. Natyrisht, disa çështjet që unë diskutoj me të, duke kërkuar edhe mirëkuptimin tuaj, kanë nevojë të mbeten brenda kuadrit institucional. Krimi i organizuar në Shqipëri është një problematikë institucionale, reale dhe mbi të gjitha lufta kundër tij duhet të fillojë me një akt, atë të shkëputjes së politikës me botën e krimit”, u shpreh Presidenti.

Presidenti tha se kur të kthehet nga SHBA në Shqipëri, do të shprehet edhe për ligjin e mbetjeve, që kaloi së fundmi në Parlament. 

Top Channel