Fëmijët e refugjatëve në Greqi, jo në shkollë me të tjerët

26/09/2016 00:00

Këshilli i prindërve në dy shkolla fillore në Aleksandria të Verias, 80 km larg Selanikut, ka vendosur që fëmijët e refugjatëve që ndodhen në një qendër pritjeje pranë kësaj qyteze, të mos pranohen të mësojnë në të njëjtat klasa ku mësojnë edhe fëmijët e tyre, sipas urdhrit të komunikuar nga Ministria greke e Arsimit.

Një fenomen i ngjashëm ka ndodhur një javë më parë në Filipiada të Prevezës ku këshilli i prindërve ka publikuar edhe një listë me arsyet se përse nuk do pranojë në asnjë rrethanë dhe pa asnjë kompromis fëmijët e refugjatëve.

Ata nënvizojnë midis të tjerash se këta fëmijë janë të përkohshëm, mund të bartin sëmundje ngjitëse, gjendja e tyre psikologjike për arsye të eksperiencave që ata kanë kaluar e bën përshtatjen më të vështirë,

Kanë boshllëqe në programin shkollor dhe perceptime të ndryshme për rolin e familjes, gruas, fesë dhe kulturës, në krahasim me fëmijët grekë që ndjekin arsimin dhe mënyrën europiane të jetesës.

Ndërsa rasti më i bujshëm ishte ai i lagjes Oreokastro të Selanikut, ku çështja ka shkuar tek organet e drejtësisë pasi kryebashkiaku i kësaj zone thuhet se u ka bërë thirrje të gjithë banorëve, që kryesisht janë grekë të riatdhesuarve nga disa zona të Rusisë, të mos pranojnë fëmijët e refugjatëve në klasa bashkë me fëmijët e tyre.

Në gjithë vendin janë rreth 20 000 fëmijë të refugjatëve për të cilët Ministria e Arsimit ka bërë një plan që të mësojnë në shkollat greke, kryesisht në orët e pasdites, duke paraqitur edhe dokumentin e vaksinimit që u ka lëshuar Ministria e Shëndetësisë.

Megjithëse ende asnjë prej tyre nuk ka filluar të ndjekë mësimet në shkollat e vendit, janë regjistruar reagimet e para, të cilat janë kritikuar nga shtypi grek që i cilëson si fenomene që mund të prishin imazhin e shoqërisë vendase që ka bërë kaq shumë në dy vitet e fundit për të ndihmuar qindra-mijëra refugjatë.

Top Channel