Mbetjet, Ahmetaj në Top Story: Import sipas kapaciteteve. Ligji garanton sigurinë

26/09/2016 00:00

Të enjten në Parlament pritet të diskutohen 6 ligjet për reformën në drejtësi, por punimet në seancë plenare pritet të shoqërohen me protesta kundër ligjit të mbetjeve. Po përse u anulua ky ligj 3 vite më parë? Përse u rikthye sërish dhe vërtet kanë aq ndryshime ligjet nga njëri-tjetri?

Industria e riciklimit të mbetjeve raporton sot investime në një vlerë prej 230 milionë euro dhe punëson rreth 35 mijë vetë. Këto shifra e bëjnë me një impakt jo të vogël në ekonomi dhe fushën e financave dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve të mësipërme dhe të tjera pyetje, këtë të hënë në Top Story ishte ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Ahmetaj mbrojti memorandumin e vendosur nga qeveria 3 vite më parë.

“Sot jam i bindur që moratoriumi ishte gjëja e drejtë për t’u bërë dhe kemi argumentuar që moratoriumi që vendosëm menjëherë pas shtatorit ishte i duhur. Kemi argumentuar që Shqipëria nuk ka patur instrumentat e duhura për të kontrolluar importin e mbetjeve dhe në të njëjtën kohë, formati dhe mënyra si do të bëhej, ishte jashtë kontrollit të institucioneve dhe jo e fokusuar tek riciklimi. Deri në vitin 2011 nuk ka patur asnjë kufizim importi mbetjesh dhe në këtë vend janë importuar mbetje dhe plehra dhe ka informacione që diku edhe janë depozituar. Në Fier dhe Lezhë ka indikacione për depozitim para 2013. Këto indikacione erdhën edhe tek ne kur ishim në opozitë”, tha ai.

Ministri solli edhe ndryshimet mes dy ligjeve, atij të miratuar nga Qeveria “Berisha” dhe të ligjit të kaluar së fundmi nga Qeveria “Rama”.

“Ka një vijë ndarëse shumë të prerë dhe ky ligj nuk lejon në asnjë mënyrë dhe asnjë kontekst asgjësimin dhe groposjen e mbetjeve. Këtu nuk do të ketë mbetje të importuara as për djegie dhe as për groposje. E dyta nuk do të ketë asnjë mundësi depozitivimi sepse kemi vendosur një kusht. E para lista e importit është e mbyllur dhe e kufizuar me kapacitetet ricikluese. Kjo që po bëjmë garanton një mjedis më të pastër. Ne kemi përputhur kapacitetin përpunues të fabrikave me improtin e listës së gjelbër dhe e kemi kufizuar vetëm në ato materiale që do të përpunohen nga fabrikat”, u shpreh Ahmetaj.

Por çfarë ndryshoi në 2016 nga 2013 në këtë industri? Ahmetaj la të kuptohej se nuk ka ndryshuar industria, por ligji i miratuar që garanton sigurinë.

“Lista e gjelbër e ligjit të mëparshëm ishte e hapur dhe kushdoqoftë mund të sillte mbetje në Shqipëri, kishte apo jo industri ricikluese. Ne sot kemi marrë listën e gjelbër dhe e kemi kufizuar atë vetëm me kapacitetet ricikluese”, u shpreh ai.

Siguri shtesë për këtë import, Ahmetaj përmendi edhe skanimin nëpër dogana.

“Do të bëjë dallimin e lëndëve radioaktive. Ekzistenca e skanerit garanton edhe më shumë sigurinë e importit. Dhe ne kemi bërë autorizim të importit të mbetjeve që riciklohen në fabrikën e vet dhe vetëm me kapacitetet e mundshme të riciklimit. Ligji i 2013, thoshte që lista e gjelbër mund të importohet e gjitha pa kufizim dhe e palidhur me kapacitetet përpunuese, ne themi jo lista e gjelbër është e kufizuar vetëm në ato artikuj që mund të ripërpunohet nga industria ricikluese në Shqipëri”, u shpreh ai.

Por a garantohet që industria që do të rinisë punën nuk do sjellë pasoja për mjedisin?

“Garantoj që lista e gjelbër dhe zbatimi me korrektesë i kontrollit është normalitet prodhues. Lista e gjelbër nuk helmon dhe nuk ndot ambientin”, deklaroi Ahmetaj.

Ministri tha ligji do të hyjë në fuqi gradualisht dhe faza e parë e tij parashikon importin vetëm nga dogana e Durrësit, ndërsa qeveria do të autorizojë herë pas herë grupe ad hoc apo komisione e përfaqësues të shoqërisë civile që të monitorojë procesin.

Në fazën e parë, do të përdorim vetëm doganënn e durrësit dhe skanerine  durrësit dhe po përgatisim një vendim qeverie që do të autorizojë, grupe ad hoc, komisione të shoqërisë civile, që të monitorojë importojë mbetjet.

Top Channel