Emigrantët, Merkel: Nevojiten marrëveshje të tjera si ajo me Turqinë

26/09/2016 00:00

Bashkimi Europian duhet të arrijë marrëveshje të tjera si ajo që ka me Turqinë, për të ndaluar emigracionin e paligjshëm. Duke folur gjatë një samiti për turizmin në Berlin, kancerlarja gjermane Angela Merkel, tha se e njëjta rrugë duhet ndjekur edhe me emigrantët e paligjshëm që hyjnë përmes Tunizisë apo Egjiptit.

“Ne i kthejmë prapa emigrantët që mbërrijnë ilegalisht nga Egjeu dhe në këmbim, ne pranojnë kontingjentet e refugjatëve që hyjnë ligjërisht në Europë, në mënyrë që t’ua bëjmë të qartë se nuk kanë asnjë mundësi nëse vijnë në rrugë ilegale. Këto janë mekanizmat që duhet t’i përdorim edhe me vende si Egjipti, Tunizia, etj”, tha Merkel.

Marrëveshja e muajit mars mes Bashkimit Europian dhe Turqisë bën të mundur frenimin e emigrantëve ilegalë që i drejtohen Europës, në këmbim të ndihmës financiare dhe premtimit për lëvizjen pa viza.

Top Channel