Ish-kancelari gjerman: Mos u demoralizoni nga Brexit

26/09/2016 00:00

Konferenca “Sfidat ekonomike të migracionit dhe integrimit brenda projektit europian” solli në Tiranë ish-kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder, i cili në fjalën e mbajtur në këtë takim u ndal tek sfidat aktuale të Bashkimit Europian.

Shrëder kërkoi nga vendet kandidate që të mos demoralizohen nga dalja e Britanisë së Madhe.

“Ne jemi duke përjetuar një kapitull që shkon përtej aspektit politik. Kjo është në thelb një krizë strukturash, shtuar këtu edhe faktin që rrezikun që i kanoset ekonomisë botërore nga luftërat në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme. Nuk duhet të harrojmë një gjë: integrimi europian vazhdon të mbetet një bekim për Europën dhe ju jeni pjesë e saj. Të gjithë përfitojnë nga avantazhet e stabilitetit që ofron unioni. Ky është një sukses i BE-së dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, deklaroi ai.

Shrëder shtoi se nëse Bashkimi Europian kërkon të ekzistojë në mënyrë të suksesshme, atëherë ai duhet të rritet ekonomikisht dhe politikisht si një i tërë.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Kryeministri Edi Rama. Ai vuri theksin tek sfidat me të cilat përballet rajoni ynë dhe në lidhje me krizën e refugjatëve ripërsëriti se pozicioni i vendit tonë është ai i shprehur edhe në takimin e Vjenës pak ditë më parë.

Top Channel