Atë e njohin shumë qytetarë të Tiranës, veçanërisht përdoruesit e shpeshtë të taksive të zonës përreth “Piramidës”. Por, ai ka dalë edhe në televizion, një herë në emisionin “Top Show” dhe një tjetër herë në “Wake Up”, herën e parë i ftuar gjatë një puntate ku merrte pjesë edhe prezantuesja e “Procesit Sportiv”, Marina Vjollca.

Dikur ai kishte pikturuar taksinë e tij me portretin e saj, më pas e zëvendësoi atë me piktura të Kim Kardashianit, e tashmë ka vendosur që me gjestin e tij t’i japë përkrahjen kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shoferit të taksisë i ka dedikuar një shkrim të veçantë edhe mediat e huaja, konkretisht “Associated Press”, për të cilën, ndër të tjera thotë se manjati i pasurive të paluajtshme ka ndihmuar mjaftueshëm në shpëtimin e biznesit të tij.

Uljan Kolgjegja ka thënë për këtë media se, ideja për ta pikturuar automjetin e tij me fotot e Donald Trump i ka ardhur pasi kishte dëgjuar kryeministrin Rama të thoshte se “Trump mund të përbënte një kërcënim real ndaj marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”.

Gjesti i tij ka tërhequr vëmendjen e shumë personave në Tiranë, ndërsa Kolgjegja thotë se po fiton më shumë parà se kurrë më parë, gjatë 13 viteve si shofer taksie. “Fotot e tij më kanë sjellë më shumë klientë”, shprehet ai për “AP”.

Kolgjegja flet edhe në lidhje me presidencialet amerikane, teksa thotë se Trump do të sjellë zhvillime të reja shpresëdhënëse anembanë botës, nëse zgjidhet president, ndërsa shfaqet më shumë skeptik ndaj kandidates demokrate, Hillary Clinton.

“Shikoni botën sot, e mbushur plot me luftëra. Presidenti Obama dhe Clintoni, e cila ka punuar për të më parë, nuk kanë bërë aq sa duhet”, thotë ai. “Trump do të sjellë një ndryshim”.

Në komentet e mëhershme të tij për Trumpin, kryeministri Rama ka thënë se “do të ketë pasoja shkatërrimtare” nëse ai zgjidhet president i SHBA-ve. Por këtu, ai nuk i është referuar republikanëve në tërësi, vetëm një “karakteri që ka sjellë shqetësim edhe mes vet republikanëve”, saqë shumë prej tyre tashmë duan dhe pritet të votojnë Clintonin.

“Kur Trump të bëhet zyrtarisht president dhe të futet në Shtëpinë e Bardhë në janar, unë do të ndez 200 fishekzjarre përpara zyrës së kryeministrit Rama”, ka premtuar Kolgjegja në fjalët e cituara nga “Associated Press”.

Tirana dhe Uashingtoni rivendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 1991 pas rënies së regjimit komunist në vendin tonë. Ndërkohë, edhe ish-presidenti amerikan George W. Bush pati një mikpritje si hero në Shqipëri, gjatë vizitës së tij në vitin 2007.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel