Investimet në energji, OSSHEE: 9 mld lekë për përmirësimin e rrjetit

26/09/2016 00:00

Investimet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë për vitin 2016 kapin shifrën e 9 miliardë lekëve. Administratori i OSHEE, Ardian Çela thotë se harta e investimeve shtrihet nga veriu në jug, por përqëndrimin më të madh e ka në qytetet kryesore, si dhe zonat strategjike, veçanërisht ato turistike.

Megjithatë, pjesën e luanit në investime e ka Tirana, që përbën pjesën më të madhe të konsumit dhe humbjeve të energjisë.

“Parashikojmë të ndërtojmë 3 nënstacione të reja në Tiranë, njëri prej të cilëve është nënstacioni i qendrës. Ndërkohë, po përfundojmë projektin e nënstacionit të Kamzës, ndërsa kemi ristrukturimin e 6 nënstacioneve të reja, njëri prej të cilëve ai i Valiasit”, deklaron Çela.

Administratori i OSHEE thotë se investimet deri më tani janë kryer me të ardhurat e kompanisë. Por operatori do të nisë një fazë të re investimesh me paratë e donatorëve ndërkombëtarë.

“Kemi një kredi rreth 100 milionë dollarë nga Banka Botërore, me Kooperacionin Italian kemi rreth 9 milionë euro në zonën e jugut, si dhe një kredi rreth 30 milionë euro nga KFW për implementimin e sistemit Skada”, nënvizon Çela.

Operatori i Shpërndarjes doli nga privatizimi i dështuar tek kompania ceke “Cez”, me një nivel të lartë humbjesh të energjisë elektrike në rrjet dhe borxhesh. Por a shihet si opsion privatizimi i kompanisë sot?

“Asnjë investitor nuk mund të marrë një kompani me këto probleme. Të ulim njëherë nivelin e humbjeve dhe atë të borxhit, pastaj se çfarë strategje do të ndiqet me privatizimin, këto janë vendimmarrje të qeverisë shqiptare”, shton Çela.

Top Channel