Juani në tregjet e këmbimit; monedha kineze, ndikim në ekonominë shqiptare

26/09/2016 00:00

Për Arben Malajn, pranimi i juanit si monedhë zyrtare e FMN mund të diktojë që një pjesë e rezervës valutore të Shqipërisë të investohet në këtë monedhë.

“Sigurisht, duke qenë pjesë e SDR-së, monedhës që përdor FMN, ka një lloj ndikimi lidhur me kostot e SDR-së kur ne marrim hua prej saj, por edhe me riinvestimet e rezervave valutore bazuar në peshën specifike që ka çdo  monedhë e shportës. Kështu që me fillimet e saj, ekonomia kineze, monedha e saj në shportë do të jetë rreth 10 deri në 11 për qind dhe kjo do ketë një ristrukturim të investimeve”, deklaron Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në BSH.

Por ky zhvillim prek edhe biznesin. Kina është shndërruar në partnerin e tretë më të madh tregtar të Shqipërisë, pas Italisë dhe Gjermanisë.

“Të gjithë ata që do të operojnë me Kinën mund të zgjedhin monedhën e saj në operacionet tregtare dhe për këtë arsye bankat e nivelit të dytë duhet të krijojnë infrastrukturën e pagesave, në mënyrë që bizneset shqiptare të kenë të gjitha mundësitë në shkëmbimet me Kinën”, thotë Malaj.

Por ka dhe një efekt të tretë, që lidhet me zgjerimin e mundësive të investimit për individët që kanë fonde të lira. “Elementi i tretë mund të jenë depozituesit, që mund të mendojnë se mund ta investojnë më mirë portofolin e tyre, por besoj se do të duhet kohë dhe nuk do ta rekomandoja që meqenëse u diversifikua nga 4 në 5 të shihej si mundësi nga depozituesit shqiptarë”, shton Malaj.

Zyrtarisht monedha kineze do të jetë pjesë e shportës SDR nga 1 tetori, një zhvillim ky që pritet të ketë efekte të rëndësishme në sistemin financiar global.

Top Channel