Kostoja e aksidenteve, trajtimi deri në 70 mijë lekë në ditë

26/09/2016 00:00

Çdo aksident në rrugë, përveç dhimbjes që shkakton tek familjarët ka një kosto financiare për të gjithë shoqërinë. E përkthyer në para, dikush që aksidentohet na kushton nga 30 mijë lekë, nëse është dëmtuar lehtë, deri në 70 mijë lekë në ditë, nëse personi është dëmtuar aq rëndë sa ka nevojë të trajtohet në reanimacion.

“Ne kemi pritur 90-95 urgjenca këtë tremujor gjatë ditës, të lidhura vetëm me traumën. Për pacientët e dëmtuar lehtë kostoja ditore arrin në 30 mijë lekë të reja, për ata me dëmtime mesatare 50 mijë, ndërsa për ata të plagosur rëndë në 70 mijë lekë në ditë. Këtu përfshihen kostot e medikamenteve, materialeve mjekësore dhe ekzaminimet”, deklaron Arben Zeneli, nëndrejtor i Spitalit të Traumës në Tiranë.

Në këtë përllogaritje futen përveç hotelerisë, medikamentet që përdoren gjatë trajtimit, antibiotikë, aparaturat diagnostikuese, analiza laboratorike dhe të tjera, për të cilat ka nevojë pacienti.

Vetëm në një vit në shërbimin e traumës trajtohen mbi 40 mijë pacientë, ku mbi 20 mijë vijnë nga aksidente dhe trauma të ndryshme. Por këto janë vetëm kostot fillestare, pasi një i aksidentuar mund të kthehet në një kosto të përhershme të shoqërisë për shkak të invaliditetit që mund të pësojë ai.

“Më parë ka pasur raste që ishin në gjendje të rëndë dhe përfundonin në vdekje, ndërsa tani nga rritja e shërbimit dhe trajtimit ndaj pacientëve ata mbeten invalidë dhe kjo ka një kosto financiare e njerëzore në të gjitha drejtimet”, thotë nëndrejtor Zeneli.

Mesatarisht, në një vit rreth 800 persona paraqiten në repartin e Traumës të dëmtuar rëndë dhe kalojnë në reanimacion, ku disa prej tyre mbeten invalidë të përhershëm, ose me invaliditet të pjesshëm.

Top Channel