Vrasja e policit në aksident, autori i arrestuar në 2015 në gjendje të dehur

26/09/2016 00:00

Ervin Haxhiajt, baba i tre fëmijëve dhe me një karrierë 18-vjeçare në polici iu dha lamtumira e fundit nga familja, kolegët dhe të njohurit. Homazhet e fundit për inspektorin që humbi jetën në detyrë si pasojë e një aksidenti u zhvilluan pak metra larg komisariatit të Kamzës, ku dhe ai shërbeu në vitet e fundit.

Ervin Haxhiaj u aksidentua për vdekje në kohën që po patrullonte në këtë zonë bashkë me dy kolegët e tij Ismail Hoxha dhe Besim Voji, të cilët u plagosën. Nga hetimet e deritanishme rezulton se mjeti i policisë u godit në udhëtim nga një mjet tjetër që drejtohej nga shtetasi Arnold Kola.

Menjëherë pas aksidentit aparati “Drager” tregoi se 22-vjeçari po e drejtonte mjetin “Lexus” në gjendje të dehur, me test alkooli 0.57 për qind. Ndërsa shpejtësia e mjetit llogaritet të ketë qenë 130 km në orë.

Për ironi të fatit, Arnold Kola është arrestuar një vit më parë pikërisht në vendin ku kreu aksidentin tragjik mbrëmjen e kaluar. Drejtësia i dha atij një shans duke e dënuar me kusht për shkak të faktit se nuk kishte qenë herë tjetër i dënuar më parë dhe se po ndiqte studimet e larta.

Ai kishte tre ditë që kishte përfunduar dënimin me kusht, por ky dënim nuk i shërbeu atij as për të reflektuar dhe as për t’u rehabiliatuar nga alkooli. I riu do dalë para gjykatës për dy vepra penale atë të “shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen”, si dhe “drejtim mjeti në gjendje të dehur”.

Hetimet paraprake hedhin dritë mbi dinamikën e aksidentit. Në orën 21.10 minuta të së dielës, mjeti i policisë pas goditjes nga mjeti “Lexus” është spostuar duke u rrotulluar në krahun e kundërt të lëvizjes, ndërkohë që mjeti është përplasur më tej me një shtyllë ndriçimi dhe është përmbysur gati 40 metra më tej.

Top Channel