Hetimi për Lalzin, Manjani: Do kërkojmë shkarkimin e gjyqtares që ktheu tokën

26/09/2016 00:00

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani bëri publike konkluzionet e hetimit procedurial për një vendim të Gjykatës së Durrësit për njohjen e pronësisë të 42 mijë metrave katrorë për familjen Selçuni.

Ministrit thotë se pas një inspektimi që iu bë çështjes, ekspertët e ministrisë arritën në përfundimin se vendimi është totalisht i gabuar, pasi gjykata ishte e pabindur ligjërisht dhe nga ana e dokumentacionit se ky truall i takonte familjes Selçuni.

“Gjykata nuk ka qenë e bindur në ligj dhe në fakte se personi që kërkon pronën e ka mbajtur atë qetësisht dhe pa ndërprerje”, tha ministri Manjani.

Për të gjithë ngjarjen, Manjani thotë se ka disa përgjegjës, ndër të cilët janë, gjyqtarja e çështjes, Albana Qeleshi, por edhe Avokatura e Shtetit që nuk apeloi vendimin e saj. Për gjyqtaren Qeleshi, Manjani paralajmëroi se do të kërkojë shkarkimin e saj.

“Kam vendosur të filloj procedim disiplinor me kërkesë të pakthyeshme për shkarkimin e gjyqtares. Drejtuesi i Avokaturës së Shtetit, Durrës së bashku me juristin që ka qenë prezent në gjyq dhe nuk ka marrë masa për t’u ankuar për këtë vendim”, u shpreh Manjani.

Kompania “Omnix”, edhe sipas Ministrisë së Drejtësisë, e kishte blerë në vitin 2008 të gjithë truallin për të cilin qeveria i dha lejen e ndërtimit në korrik 2016. Por, në deklaratën dhënë për Top Channel, Pal Selçuni tha se truallin që ndodhet në hapësirën ku “Omnix” do të ndërtonte resortin, ai e kishte trashëgim nga familja, gjë që bie ndesh me argumentin ligjor me të cilin ai ka kërkuar pronësinë në gjykate. Familja Selçuni siç konfirmoi edhe ministri Manjani e ka kërkuar pronësinë e truallit bazuar në procedurën e parashkrimit, që i jep pronësinë e tokës dikujt që përkujdeset për një truall që nuk është i tiji për mbi 20 vjet.    

Top Channel