PSG, Aurier dënohet me dy muaj burg. Do të apelojë

26/09/2016 00:00

Dy muaj burgim për lojtarin e Paris SG, Serge Aurier. Megjithatë, edhe ky, sikurse dënimi i Messit dhe babait të tij për evazion fiskal, nuk do të përfundojë pas hekurave të qelisë.

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë është dënuar për shkak se ka shtyrë me bërryla një oficer policie. Veç dënimit me burgim, ai është gjobitur me 600 euro, për shkak të dëmeve që ka shkaktuar gjatë një incidenti në një klub nate të Parisit, ngjarje e ndodhur në muajin maj.

Gjithsesi, futbollisti do të lihet i lirë dhe gëzon të drejtën e apelimit të këtij dënimi, gjë që nënkupton se do të jetë në dispozicion të PSG-së në ndeshjen e së mërkurës në Champions League.

Lojtari 23-vjeçar ishte pezulluar më herët gjatë këtij viti, për shkak se kishte bërë komente nënçmuese ndaj ish-trajnerit të Parisit në atë kohë.

Aurier u dënua këtë të hënë, sepse kishte shtyrë dhunshëm një oficer policie pasi u largua nga klubi i natës më 30 maj, e më pas ishte ndaluar nga forcat e rendit për të kryer një test alkooli.

Top Channel