Trump takohet me Netanyahun. Mbështet Izraelin dhe “Jeruzalemin kryeqytet”

26/09/2016 00:00

Takimin me Benjamin Netanyahun, në vigjilje të debatit të parë presidencial, Donald Trump e përdori për t’i përcjellë mbështetjen e tij kryeministrit izraelit dhe për t’i vendosur vetes aureolën e një kryetari të vërtetë shteti.

Gjatë bisedës në kullën “Trump” të Nju Jorkut, të zgjatur për mbi një orë, kandidati republikan e garantoi kreun e ekzekutivit hebraik se, po të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e pandashem të Izraelit.

Lëvizja do të përbënte një kthesë dramatike të linjës politike amerikane mbi këtë çështje. Edhe pse Izraeli e konsideron praktikisht Jeruzalemin si kryeqendrën e tij, pak vende të tjera e pranojnë një gjë të tillë, ndër të cilat edhe vet Amerika.

Shumica e shteteve  vazhdojnë t’i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Palestinezët këmbëngulin që Jeruzalemi Lindor, i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967, të jetë kryeqyteti i shtetit që duan të krijojnë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Në takimin mes dy udhëheqësve u prek dhe çështja e barrierës ndarëse izraelite, të cilin Trump e përmendi si referim ndaj vet politikave të tij kontroverse të emigracionit, që përfshijnë dhe ngritjen e një muri në kufi me Meksikën.

Meksikano-amerikanë dhe qytetarë amerikanë që jetojnë në Meksikë morën pjesë në një tubim në Mexico City, të organizuar pikërisht kundër murit në fjalë. “Të bashkuar kundër Trumpit” ishte slogani kryesor i protestës, i shkruar si në spanjisht, ashtu edhe në anglisht.

Top Channel