Europa nën shenjën e futbollit. Situata në kampionatet kryesore

26/09/2016 00:00

Futbolli europian la pas një tjetër raund ndeshjesh, ndërsa situata në kampionatet më të rëndësishme të kontinentit të vjetër mbetet interesante.

Në Spanjë, Reali i Madridit në vetëm pak ditë kaloi nga situata e sigurisë te dyshimet. “Los Blancos” barazuan ndaj Villarrealit e Las Palmas, e tashmë e shohin veten vetëm një pikë larg Barcelonës, që shkatërroi Gijonin edhe pa Messin. Nuk lëshoi pè as Atletico Madrid, diferenca e të cilit me rivalët e qytetit është vetëm dy pikë.

Në Angli, askush nuk e ndal Manchester Cityn. Skuadra e Pep Guardiolës është e sigurtë në krye, me 18 pikë dhe 6 fitore në po kaq ndeshje, duke barazuar rekordin e vendosur nga Ancelotti në drejtimin e Chelseat në sezonin 2009-2010. Ndërsa Manchester United i Mourinhos është i gjashti, edhe pse fitorja me Leicester duket se e ka qetësuar disi portugezin, aq shumë të kritikuar së fundmi.

Në Gjermani, Bayerni e Dortmundi nuk gabuan në ndeshjet e tyre të radhës në kampionat. Të besuarit e Ancelottit, ndaj Hamburgut treguan se dinë të vuajnë, duke qenë se fitoren e arritën vetëm në minutat e fundit me golin e Kimmich. Ndërsa Dortmundi mori një fitore më komode ndaj Freiburgut 3-1 dhe Tuchel mund t’i gëzohet fare mirë Aubameyangut, Götzes apo Emre Mor.

Në Francë, Paris Saint Germain gaboi sërish, duke u mposhtur nga Toulouse. Unai Emery po përballet me probleme të shumta, teksa atyre për rezultatet iu bashkohen edhe ato me disa prej futbollistëve si Jese Rodriguez e sidomos Ben Arfa. Nice është ajo që udhëheq “Ligue 1”, ndërkohë që seriozisht e ka marrë edhe Monaco.

Në Itali, Juventus vijon në rrugën e tij, por edhe Napoli nuk bën shaka. Të besuarit e Allegrit e morën tripikëshin e radhës ndaj Palermos falë një autogoli, ndërkohë që Napoli iu kundërpërgjigj me Gabbiadinin e Hamsik. Torino i bëri nder skuadrës rivale të qytetit, teksa gjunjëzoi Romën 3-1.

Top Channel