Siri, kamionë me ndihma në 4 qytete të rrethuara nga forcat qeveritare

26/09/2016 00:00

Për të parën herë në gati 6 muaj, kamionë me ndihma kanë hyrë në 4 qytete të rrethuara të Sirisë. Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se kamionët mbërritën në Madaya dhe Zabdani, pranë Damaskut, e në Foua dhe Kefraya të provincës së Idlibit, në veriperëndim të vendit.

Madaya ka rreth 40 mijë banorë dhe mbahet nën darën e forcave qeveritare që prej muajit prill. Vetëm 1.000 vetë kanë mbetur në Zabadani, ndërsa në Kefrayan e al-Fouan e kontrolluar nga rebelët që prej vitit të kaluar ka ende 20.000 persona.

Autokolonat e ndihmave kanë sjellë për ata ushqime, ilaçe dhe pajisje personale.

OKB-ja e pezulloi për 48 orë shpërndarjen e ndihmave në Siri, pas sulmit vdekjeprurës ndaj një karvani të saj, ku humbën jetën 20 civilë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, të pozicionuara në kahe të ndryshme të luftës civile afro 6-vjeçare të vendit, ia hodhën fajin njëra-tjetrës për incidentin.

Ngjarja ndodhi me të përfunduar armëpushimi i ndërmjetësuar nga dy fuqitë botërore. Qeveria e Assadit nuk priti shumë që të riniste pas kësaj valën e bombardimeve në Aleppo. Që nga skadimi i afatit të pushimzjarrit, Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar vdekjet e 237 personave, 38 nga të cilët fëmijë.

Top Channel