Britani, rritet ndjeshëm racizmi pas referendumit të “Brexit”

26/09/2016 00:00

Pas referendumit të muajit qershor për shkëputjen nga Bashkimi Europian, racizmi në Britani është rritur ndjeshëm. Sulmet ndaj të huajve, sipas të dhënave të Këshillit kombëtar të krerëve të Policisë, u rritën me 58% brenda vetëm një muaji, pasi anglezët i thanë “Jo” qëndrimit në BE.

Me një popullsi prej rreth 450 mijë banorësh, Bristoli konsiderohet si qyteti më i populluar në Anglinë jugore, pas Londrës. Emigrantët dhe pasardhësit e tyre përbëjnë 16% të banorëve të tij.

Mohammedi 22-vjeçar emigroi atje nga Somalia në vitin 2007 bashkë me familjen. Në ditën e parë që u vendosën në një lagje qendrore, u kthyen menjëherë në shënjestra të urrejtjes raciale. Familja përbëhet nga 12 persona, vetëm 3 nga të cilët janë në punë, ndërsa të tjerët jetojnë me asistencë sociale.

“Fjalët e para që na thanë ishin: nuk jeni të mirëpritur këtu, kthehuni nga keni ardhur. Shporruni nga komuniteti ynë. Disa orë më vonë, një tip erdhi e i ra derës sonë. Kur e hapëm u përpoq të godiste vëllain e vogël, që është rreth 3 vjeç. Të gjithë fqinjët dolën jashtë, e në vend që t’i bërtisnin të largohej, e inkurajonin të hynte në pronën tonë”, tha Mohammed, emigrant somalez.

Mohammed kujton se sulmet u shtuan në kohën e referendumit. “Sime mëje iu vunë një ditë prapa me makinë, ndërsa ecte buzë rrugës. Nuk ishim përballur ndonjëherë me situata të tilla”, rrëfen ai.

Në fund, falë ndihmës së një organizate joqeveritare, 22-vjeçari dhe të afërmit e vet arritën të shpërnguleshin në një zonë tjetër të qytetit, ndërsa ashtu si shumë emigrantë të tjerë, abuzimet nuk i kanë raportuar në polici, nga frika e ndonjë shpagimi.

Top Channel