Japonia, avionë luftarakë përballë “stërvitjes rutinë” të Kinës

26/09/2016 00:00

Japonia ka ngritur në fluturim avionët e saj luftarakë gjatë së dielës, pasi 8 avionë kinezë u panë të fluturonin mes disa ishujve japonezë.

Avionët, të cilët thuhet të kenë qenë bombardues e zbulues, ndërsa njëri luftarak, kanë kaluar shumë pranë hapësirës ajrore të ngushticës Miyako, mes ishujve Okinava dhe Miyakojima.

Kina, nga ana e saj, njoftoi se ishin rreth 40 avionë të flotës së saj ajrore që u përfshinë në atë, që kinezët e konsideruan një stërvitje rutinë.

Avionët kinezë nuk e shkelën hapësirën ajrore japoneze, por lëvizja e fundit shihet nga vendi ishullor si një tregim force nga Kina. Ngjarja vjen vetëm një javë pasi Japonia njoftoi se do të merrte pjesë në stërvitjet e përbashkëta trajnuese më Marinën amerikane në detin e Kinës Jugore.

Zëdhënësi më i lartë qeveritar i Japonisë tha se vendi i tij do t’i mbikëqyrë nga afër lëvizjet ushtarake të Kinës. Tokio do të “vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj përpjekjeve për vigjilencë dhe mbikëqyrje, si dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat rigoroze kundër shkeljeve të hapësirës sonë ajrore, bazuar mbi ligjet ndërkombëtare dhe ligjet e vetëmbrojtjes”, tha Yoshihide Suga.

Ngushtica Miyako është e një rëndësie strategjike, me një gjerësi prej 155 miljes (250 km) në ujërat jugore të Okinava-s, shumë pranë Taivanit. Ajo është gjithashtu pranë një grupi ishujsh në detin e Kinës Lindore, teksa pretendimet mbi të janë si nga Japonia edhe nga Kina.

Japonia, e cila kontrollon aktualisht ishujt, i njeh ato me emrin Senkaku, ndërsa Kina i quan Diaoyu.

Top Channel