Lufta civile në Siri, SHBA: Barbarizëm rus në Aleppo

26/09/2016 00:00

Ambasadorja amerikane në OKB akuzoi Rusinë për barbarizëm, për bombardimin e qytetit sirian të Aleppos. Gjatë një mbledhjeje emergjente të Këshillit të Sigurimit, Samantha Power tha se Rusia ka gënjyer haptazi këshillin për sjelljen e saj në Siri.

Ajo deklaroi se Rusia dhe regjimi sirian po shkatërrojnë edhe rrënojat që kanë mbetur nga qyteti ikonik. Power tha se Rusia, e cila mbështet regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad, prej kohësh ka pasur fuqinë të ndalojë vuatjet në Siri.

“Por në vend të paqes, Rusia dhe Assad bëjnë luftë. Në vend që të dërgojnë ndihmë te sirianët, Rusia dhe Assad bombardojnë spitalet dhe ekipet e emergjencës”, deklaroi Power.

Ambasadorja amerikane akuzoi Rusinë se përgatiste sulme ajrore ndaj Aleppos, edhe kur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaronte para OKB-së se Rusia ishte e angazhuar për një zgjidhje paqësore.

Ajo gjithashtu sfidoi Këshillin e Sigurimit duke thënë se, ky organizëm duhet të ketë kurajon që të tregojë përgjegjësit dhe t’i thotë me një zë Rusisë të ndalet.

Në të njëjtin kuadër, disa përfaqësues të tjerë në takim sugjeruan se Rusia mund të ketë kryer krime lufte me bombardimin e një karvani ndihmash në afërsi të Aleppos. Në krahun tjetër, Rusia, e cila i mohon akuzat me forcë, tha se ushtria siriane po përpiqet të largojë terroristët nga Aleppo, duke lënduar sa më pak civilë që të jetë e mundur.

Ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin nuk tha nëse forcat ruse janë të përfshira në këto operacione. Por, ai shtoi se paqja në Siri është bërë tashmë thuajse e pamundur, ndërsa akuzoi grupet e armatosura opozitare se kanë shkelur armëpushimin.

Ndërkohë nga terreni, burime të ndryshme si organizatat humanitare apo ekipet e emergjencës raportojnë se thuajse gjysma e viktimave në qytetin e Aleppos janë fëmijë. Qyteti i Aleppos është shndërruar në një fushëbetejë kyçe në luftën civile thuajse 6-vjecare në Siri dhe humbja e tij nga njëra palë apo tjetra do të përcaktojë fatin e konfliktit.

Top Channel