Integrimi në BE, çelet Shkolla verore Europiane

26/09/2016 00:00

Është mbajtur këtë të hënë në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit ceremonia për çeljen e Shkollës verore Europiane, e ngritur me nismë të Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Kryetarja e këtij këshilli, Majlinda Bregu ka deklaruar në hapje të ceremonisë se, aplikimet për në këtë shkollë kanë arritur në 2010. Ajo ka vlerësuar se, kjo shkollë mund të luajë një rol kyç në procesin e integrimit të vendit, i cili, siç tha ajo, nuk varet vetëm nga administrata e dikastereve përkatëtse.

“Kjo shkollë synon të institucionalizojë dhe mbulojë hapësirën që ekziston në kuadër të forcimit të kapaciteteve mbi integrimin europian, në mënyrë të integruar, duke lënë jashtë vëmendjes aktorë shumë të rëndësishëm të procesit, si organizatat e shoqërisë civile, politikanët e rinj, përfaqësues të vetëqeverisjes vendore, biznesit, medias, etj. Procesi i integrimit të Shqipërisë sigurisht nuk ka nisur sot dhe çdo eksperiencë e mëparshme e përjetuar ka një vlerë të shtuar për formimin e trupës së ardhshme negociatore”, ka deklaruar Bregu.

Në të njëjtat linja, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është shprehur se, kjo shkollë ka një rëndësi të mirëfilltë dhe është një “gur i çmuar” për avancimin e procesit të integrimit.

“Dua ta përsëris edhe një herë se çdo çështje që lidhet me integrimin evropian shkon përtej çdo interesi apo axhende të ngushtë partiake. Miratimi me konsensus i paketës kushtetuese për reformën në drejtësi gjatë muajit korrik është ndoshta dëshmia më e qartë e rëndësisë që përfaqëson bashkëpunimi politik dhe arritja e konsensusit për të garantuar legjitimitetin e proceseve dhe reformave”, ka thënë Meta.

Në këtë drejtim, ka shtuar ai, duhet “të mbështetet dialogu konstruktiv për të inkurajuar vazhdimin e reformave dhe të rritet transparenca në vendimmarrje”.

Ndërsa ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, duke vlerësuar gjithashtu rëndësinë e kësaj shkolle ka deklaruar se, “integrimi është një proces modernizimi që ndryshon bërthamën e komunikimit mes qytetarëve dhe institucioneve”.

“Dialogu, kapaciteti për të diskutuar të gjitha vendimet që duhen marrë e bëjnë shoqërinë më të fortë në të gjitha drejtimet. Ndaj dhe ju duhet të diskutoni me njëri-tjetrin se si ta bëni Shqipërinë më të fortë, por dhe gati për në BE, që Shqipëria të jetë një aktor i barabartë që të ketë diçka për të dhënë dhe kontribuar si gjithë të tjerët në anën e tregut, politikës, kulturës dhe shkollave”, ka thënë Vlahutin.

I pranishëm në këtë takim, eurodeputeti Knut Fleckenstein ka përgëzuar iniciativën e zonjës Bregu për krijimin e kësaj shkolle, duke thënë se Shqipëria po përgatit në mënyrë aktive vendin për anëtarësimin në BE.

“Nuk është BE ajo që e bënë Shqipërinë vend anëtar të BE-së. Ju do të jeni ata që do ta arrini anëtarësimin e saj, ju do të jeni ata që do ta bëni legjislacionin e BE të funksionojë në Shqipëri, ju do të keni kolegë në të gjitha shtetet anëtare të BE dhe ju do të mësoni brezin tjetër të zyrtarëve se si të punojnë dhe ky do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, ka nënvizuar Fleckenstein.

Top Channel