Nishani përuron në Bruklin shtatoren e shenjtores shqiptare Nënë Tereza

26/09/2016 00:00

Në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Nju Jork, Presidenti Bujar Nishani ishte i ftuar në Kishën e Saint Athanasiusit në Bruklin, ku mori pjesë në meshën e shenjtë, duke falënderuar klerikët dhe veprimtarët shqiptarë që kontribuan në ngritjen e shtatores për nismën e tyre fisnike dhe atdhetare si dhe më pas, në veprimtarinë kulturore të organizuar nga Imzot David Cassato dhe nga Shoqata “Rrënjët Shqiptare”.

Në prani të Imzot David Cassatos dhe klerikëve të tjerë, përfaqësuesve dhe drejtuesve të komuniteteve të ndryshme fetare, drejtuesit Marko Kepi dhe anëtarëve të shoqatës “Rrënjët Shqiptare (Albanian Roots), Senatorit të Distriktit 22 të Shtetit të Nju Jorkut Martin J. Golden, Asambleistit Mark Gjonaj si dhe shumë bashkëatdhetarëve e besimtarëve bruklinezë, Kreu i Shtetit përuroi shtatoren e bamirëses me famë botërore shqiptare Nënë Terezës, tashmë të shpallur Shenjtore Tereza nga Papa Françesku disa javë më parë në Vatikan.

Senatori Martin Golden pasi vlerësoi Presidentin e Republikës për përshkushtimin e Tij të vazhdueshëm në drejtim të përmirësimit të komunitetit, i dorëzoi Kreut të Shtetit shqiptar Rezolutën e Senatit të Nju-Jorkut të miratuar edhe nga Guvernatori Kuomo, e cila e shpall datën 4 Shtator si Ditën e Nënë Terezës në shtetin e Nju-Jorkut.

I mbushur me emocione Presidenti Nishani theksoi mes të tjerash në fjalën e rastit: “Sot është dita e fundit e vizitës sime disaditore në qytetin e mrekullueshëm që nuk fle kurrë, në qytetin që për ne shqiptarët jo rrallëherë është personifikuar me zërin e mrekullueshëm të këngës së të paharrueshmit Frank Sinatra, “Nju Jork – Nju Jork”.

Si dhe çdo herë tjetër kur kam pasur rastin dhe mundësinë ta vizitoj këtë qytet mahnitës, momenti i largimit gjithmonë shoqërohet nga një ndjenjë keqardhjeje personale duke uruar që të kisha akoma më shumë mundësi qëndrimi, për të parë, vizituar vende mbresëlënëse dhe takuar sa më shumë njerëz të mirë, si ju. 

Por, sot, dita është më e veçantë, dhe realisht ndihem jo vetëm i emocionuar, por dhe i privilegjuar, sepse jam mes miqsh të nderuar, mes vëllezërve dhe motrave të mia për një arsye që zemrën na e ngre peshë. 

Me ne sot është dhe Nëna jonë e dashur, e lumja Terezë, dhe të gjithë ne vetëm pak ditë më parë patëm fatin e papërsëritshëm në brezin tonë të përjetojmë shenjtërimin e Saj me një ceremoni historike që preku zemrat dhe u rrënjos përjetësisht në mendjet e gjithë botës.

Nga ky moment Shenjtorja Terezë e Kalkutës do të lartësohet krenare këtu, për të pritur dhe përcjellë qindra dhe mijëra fëmijë, burra dhe gra që çdo javë vijnë në Kishën tuaj të Shën Athanasit, mijëra njerëz që do kalojnë çdo ditë do kenë mundësinë ta shohin, të komunikojnë pak me të, gjithsecili në mënyrën e vet, të kujtojnë dhjetëra shprehje dhe mesazhe që ajo me aq urtësi dhe guxim i dha botës mbarë dhe që janë domethënëse dhe në ditët që jetojmë.
 
Jam i bindur që të gjithë ju dhe kushdo tjetër që banon në Bruklin, do të frymëzohet dhe marrë shembull nga  jeta dhe vepra e kësaj Shenjtoreje shqiptare!
 
Ne kemi fatin e madh si komb që tek kjo grua, e papërsëritshme në llojin e vet, të rridhte gjak shqiptari. Janë jo të pakta rastet, jam i sigurt se dhe ju sot mund ta vini re e ta pohoni një gjë të tillë, që kur shumë qytetarë në botë flasin për shqiptarët, menjëherë mendja shkon tek Nënë Tereza.
Sepse, Nëna e gjithë botës, me veprën e Saj të pavdekshme, me vullnetin e Saj të hekurt, me dashurinë e Saj të pakufishme, u kthye në një nënë përkujdesëse universale sa shqiptare, aq edhe botërore, sa tokësore aq edhe qiellore.
 
Nënë Tereza është dhurata më e vyer që kombi shqiptar i ka falur dhe dhuruar me shumë bujari mbarë Njerëzimit!

Dhe nga ana e saj, Nënë Tereza, e kudondodhura Shenjtore e dashurisë, e dhembshurisë, e besimit të palëkundur në Zot, e urtësisë, e mëshirës, ka qenë, është, dhe kurdoherë do të jetë e pranishme kudo ku qeniet njerëzore vuajnë, ku shpirti njerëzor lëngon, ku zemra njerëzore rrezikon të ndalet, sa këtu, edhe atje, sa në të shkuarën aq edhe tani, madje deri në pafundësi e përjetësi.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel