Kolumbi, pas paktit të paqes nis puna e vështirë

26/09/2016 08:50

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos tha se marrëveshja e paqes me rebelët e FARC do të sjellë zhvillim ekonomik dhe do të ndihmojë vendin që të shërojë plagët sociale.

Në një intervistë për BBC, Santos tha se lufta kushton më shumë se paqja, ndërsa përgatitet për firmosjen e paktit historik. Firmosja pritet të zhvillohet gjatë një ceremonie të hënën bashkë me liderin e FARC, Timoleon Jimenez. Por, Santos pranoi se shoqërisë kolumbiane do t’i duhet shumë kohë për të marrë veten nga 5 dekada konflikt. Ai tha se gjatë 20 viteve të fundit, po të mos kishte luftë në vend, ekonomia e Kolumbisë do të ishte rritur me 2 deri në 3% në vit. Gjithsesi, Santos theksoi se lufta ka shkaktuar dëmin më të madh në shoqëri.

“Ne kemi humbur dhimbshurinë, aftësinë për të ndjerë dhimbje për të tjerët. Një vend në luftë për 50 vjet është një vend që ka shkatërruar shumë nga vlerat e tij”, deklaroi presidenti i Kolumbisë. Marrëveshja që duhet të miratohet me referendfum nga populli kolumbian, është mirëpritur nga ekspertët, por ata paralajmërojnë se ajo thjesht i jep fund konfliktit dhe pas saj nis puna e vështirë. Ditët pas konfliktit janë terren i paeksploruar dhe duhet gjetur një ekuilibër mes dëshirës për paqe dhe kërkesave për drejtësi.

Pakti nuk parashikon asnjë amnisti dhe FARC bashkë me ushtrinë qeveritare, kanë pranuar krijimin e gjykatave speciale për ngjarjet e 50 viteve luftë. Sondazhet thonë se në referendum populli do të miratojë marrëveshjen, por janë të shumtë ata që nuk besojnë se FARC do të heqë dorë nga aktivitetet e shumta kriminale dhe fitimrurëse.

Në fund të fundit, 50 vjet konflikt përkthehen në dekada urrejtjeje e mosbesim dhe këto do të jetë shumë e vështirë që të kapërcehen.

Top Channel