Aksidentohet një furgon i policisë në Kamëz, vdes një efektiv, plagosen 2 të tjerë

25/09/2016 00:00

Një polic mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën pas një aksidenti të rëndë që ndodhi pranë shkollës “Ibrahim Rrugova” në Kamëz në mbrëmje, rreth orës 21:35 minuta të së dielës.

Një makinë tip “Lexus”, që drejtohej nga 22-vjeçari Arnold Kola, goditi furgonin e policisë në të cilin ndodheshin pjesëtarët e forcave të rendit.

Nga aksidenti mbeti i vdekur polici Ervin Haxhiaj dhe u aksidentuan rëndë dy policët e tjerë, Besmir Voi dhe Neil Hoxha, të cilët u dërguan në spitalin Ushtarak, ku mbërriti menjëherë edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Automjeti që goditi patrullën e policisë po udhëtonte me shpejtësi të lartë dhe u përplas me furgonin e policisë, i cili si pasojë përplasi edhe një BMË që ndodhej e parkuar aty pranë. Nga përplasja mbeti i plagosur edhe drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin. Ai u dërgua fillimisht në spital ku mori mjekimet e nevojshme dhe më pas u ndalua nga policia.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel